Disa qindra serbë janë tubuar matanë Urës së Ibrit në anën veriore të Mitrovicës për të protestuar kundër hapjes së urës që ndan qytetin etnikisht në dy.
Kjo në dritën e njoftimit për fakt të kryer nga ana e qeverisë kosovare se ura do të hapet dita-ditës derisa të kryhet vlerësimi teknik-infrastrukturor i saj.
Protestuesit mbanin parulla si “Nëse Kurti e hap Urën, KFOR-it dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE dhe ShBA shkruajnë deklarata, Kurti po na dëbon”, etj.
Në terren po qëndrojnë Policia e Kosovës – të cilët u deklaruan se nuk presin incidente – bashkërisht me patrolla të EULEX-it dhe KFOR-it.
Përmes agjencionit serb të lajmeve “Tanjug” u njoftua kjo protestë kundër hapjes së Urës së Ibrit mbrëmë pa cituar asnjë informacion.
Pastaj e përmendi vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq se do të ketë tubim anti-hapjes së Urës së Ibrit, duke pretenduar rrejshëm madje se “kundër-tubim” të shqiptarëve të organizuar nga Agim Bahtiri me urdhër të Kurtit.
Tek pastaj mediumi “KoSSeV” njoftoi se qytetarë serbë matanë urës kishin nisur të pranonin mesazhe në telefonat e tyre për të marrë pjesë në këtë protest.
Vetëm pas kësaj rrjedhe të ngjarjeve Policia e Kosovës kishte marrë njoftim se do të kishte protestë në gjysmën veriore të Mitrovicës.
Në këtë protestë folës kryesor ishte ish-Gjykatësi në Gjykatën e Mitrovicës së Veriut, Nikolla Kabashaq, i cili u ra toneve dramatike të propagandës zyrtare serbe për gjoja synim “spastrimi etdnik të serbëve” nga ato zona.
“Ose duhet të organizohemi ose do të na përzënë. Unë kam ku të shkoj, por nuk do të iki. Kam planifikuar të jetoj e vdes këtu. Dhe askush nga Serbia s’mund të vijë të jetojë këtu, ose t’i çojë fëmijët në shkollë. Ne duhet ta bëjmë këtë, të mbështetemi tek vetja. Prandaj edhe sot jemi tubuar këtu. Sepse, për Sveçlën, të gjithë jemi njësoj”, ka thënë ai.
“Komuna (e Mitrovicës së Veriut) nuk mund ta ketë këtë pushtet (për hapjen e urës) sepse është jolegjitime dhe nuk përfaqëson njerëzit këtu. Mesazhi që duam të përçojmë është se ne nuk kemi problem me shqiptarët. Ata punojnë këtu, asnjë kime floku nuk i është prekur askujt. Mirë për ta, mirë për ne. Rruga për ripajtim është tregtia”, ka thënë ai.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svçela, duke qëndruar dje në Mitrovicë tha se “ura do të hapet…nuk ka arsye të mos hapet” derisa për hapjen përfundimtare tha se kjo çështje i takon vlerësimit të ekspertëve.
Tashmë veçse kanë nisur vlerësimet teknike dhe infrastrukturore për matjen e qëndrueshërisë së Urës së Ibrit.
QUINT-i dhe KFOR-i janë deklaruar rreptazi se nuk mbështesin ndryshim të statusit të Urës së Ibrit tash për tash, ndërsa janë ashpërsuar edhe tonet për “prani të përhershme, fikse” në urë.