Lëvizja Vetëvendosje dje ka publikuar një video që po konsiderohet si spot elektoral, ku paraqiten veprimet e Kosovës në veri dhe vizita e kryeministrit atje. Video, ku shihen aksionet policore në këtë pjesë të vendit, ka nxitur reagime të shumta. Kjo për faktin se aty përfshihen dy policët e Kosovës, Enver Zyberi dhe Afrim Bunjaku, të cilët janë vrarë nga serbët në veri.

Përfshirja e fotografive të tyre në një spot partiak po konsiderohet si skandaloze nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Ata kanë vlerësuar se kjo është keqpërdorim i atyre që sakrifikuan për gjithë Kosovën.

Ndër të paret që ka reaguar ndaj kësaj video ka qenë analisti Afrim Kasolli.

Ai ka vlerësuar se kjo është një video tipike elektorale.

Ajo qe bie ne sy ne kete video është keqpërdorimi bizar i policëve te rënë ne krye te detyres Afrim Bunjaku dhe Enver Zyberi. Fillimisht, ata shfaqen ne një video partiake per nevoja te brendshme elektorale ne konkurence me subjektet e tjera politike. Pra sakrifica e tyre parcializohet. Nderkohe, renia e tyre ka qene ne mbrojtje te intersave shtetërore. Por me morbide se kjo tendence, qendron fakti se ligjerimin e Albin Kurti se si njerëzeve kur ju humb shpresa nuk duhet per t’ua rikthyer shpresën e kote, por guximin, e shoqëron fotoja e policit të ndjere Afrim Bunjaku, me arme ne dorë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka treguar dhe mesazhin që tentohet të përçohet përmes kësaj video.

Simbolikisht, ne këtë mënyrë partia ne pushtet mëton ta transmetoje mesazhin se gatishmeria e tij per sakrifice, nuk është asgjë tjetër, pos rezultat i guximit qe e ka gjetur te Albin Kurti dhe jo shpreses se kote qe e ka karakterizuar jeten e tij deri atëherë”, ka vlerësuar ai.

Për përdorimin e fotografisë se heroit të Kosovës në këtë spot ka reaguar edhe gazetari Parim Olluri.

“Ne videon paraelektorale, Vetevendosja e paska shoqeruar me foton e heroit Afrim Bunjaku deklaraten e famshme te Kurtit “Njerezve kur iu humb shpresa, duhet me i kthy guximin”. E ulet eshte kjo. Per marre. Ju ia pasket kthy guximin heroit Afrim Bunjaku a? Qysh ia kthyet? Me çfare veprimi? Me terheqjen e milionave eurove te GEN Serbia nga Martin Berishaj? Apo me perfshirjen ne vjedhje te rezervave te grurit nga shoku i Albin Kurtit, Ridi?”, ka shkruar ai.

Video në fjalë është kritikuar edhe nga opozita.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka vlerësuar se VV-ja ka filluar fushatën në stilin “alla James Bond”.

Sapo i thash dikujt qe këta do ta fillojnë ‘fushatën’ në stilin alla James Bond, se s’kanë me çka tjetër. Tash, ose këta shumë të parashikueshëm, ose unë shumë parashikuese”, ka shkruar ajo.

Kure, anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se kjo video paraqet fillimin e fushatës elektorale të VV-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Berisha ka shkruar se kjo është një reklamë e re me pallavra të vjetra.

Albini përmes një video për analfabetët e vetë, e paska filluar fushatën me pallavra të vjetra dhe reklama të reja. Urën e Saradranit dhe eksursionet me gjipa të zi, me gjasë e paska lën për videon e radhës. Mirë është puna”, ka shkruar Berisha.

Në videon e publikua, përveç aksioneve policore, është përfshirë edhe vizita e fundit e kryeministri Albin Kurti në veri, ku ka vendosur kurthemelin për ndërtimin e një stacioni policor në veri dhe vizitat që ka bërë në bizneset që tani janë hapur atje. Në fund të videos, paraqitet ecja e kryeministrit Kurti mbi urën e lumit Iber.

Në sfond të videos paraqitet një fjalim i Kurtit kur ishte opozitar, ku flet për rëndësinë e rikthimit të guximit te qytetarët.

Ndryshimet e mëdha fillojnë me guxim. Qytetarët e Republikës tonë dhe qeveria e tyre kanë treguar guxim dhe përkushtim, kanë treguar se si bashkë arrihet dhe fitohet ajo që synojmë e që është e domosdoshme për të gjithë”, thuhet në mbishkrimin që i është bërë videos.