Një incident fizik dyshohet të ketë ndodhur dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sot në orët e mëngjesit, Miftar Latifi – ushtrues detyre i Zyrës për IT, ka shkuar në Policinë e Kosovës për të denoncuar shefin e tij. Ai ka ngritur denoncim ndaj Sekretarit të Përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, për sulm fizik, duke pretenduar se është kapur për fyti prej tij.
Demokracia.com ka mësuar se incidenti ka ndodhur pasi Latifi nuk po pranonte t’ia nënshkruante disa dokumente sekretarit Krasniqi.
Lidhur me këtë rast, Demokracia.com i ka dërguar një mesazh Latifit, duke e pyetur: “Kemi marrë informacione se keni dërguar një email në adresën e kabinetit të ministrit, duke raportuar një rast dhune të ushtruar ndaj jush nga Sekretari i Ministrisë. A mund të na tregoni se për çfarë bëhet fjalë dhe nëse ministri ka ndërmarrë masa ndaj Sekretarit?”.
Latifi u përgjigj shkurtimisht: “Nuk po u marr vesh sepse jam në polici”.
Më pas ai ka konfirmuar se është në polici, duke bërë denoncim për këtë rast.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe sekretarin Xheladin Krasniqi, i cili mohoi të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj zyrtarit të tij, por pranoi se ka pasur një incident verbal.
“Nuk ka pasur incident fizik, i kam kërkuar të lirojë zyrën, ai ka rezistuar, dhe e kam larguar nga zyra ime për shkak të sjelljes së tij të papjekur,” tha shkurt Krasniqi. Demokracia.com është në pritje të një përgjigjeje nga kabineti i ministrit Hajrulla Çeku, pasi Latifi mësohet të ketë dërguar një email ministrit, duke kërkuar marrjen e masave ndaj sekretarit, përndryshe ka paralajmëruar denoncim në polici.
Deri në publikimin e këtij artikulli, kabineti i ministrit nuk ka kthyer përgjigje.