Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi para protestuesve ka thënë se diskriminimi si dukuri është i ndaluar për shoqëritë demokratike, siç ka thënë ai, sidomos për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Shtrohet pyetja pse jemi tubuar këtu? Pse protestojmë? Pse shtrojmë kërkesat tona këtu në sheshin Skënderbej të cilin ne e kemi emëruar ashtu, ndërsa qeveria në Beograd na e ka mohuar. Jemi këtu, sepse qeveria qendrore në Beograd, po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore, një të drejte të barabartë sepse nuk na i njeh diplomat”, ka thënë ai.
Tutje, Kamberi është shprehur se në Luginën e Preshevës, qeveria në Beograd po shkel rëndë vlerat elementare të Bashkimit Europian dhe po refuzon të respektojë tre marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë, ne vitet 2001, 2009 dhe 2013″.
“Po na pasivizon, po na diskriminon, po na ngushton hapësiren elementare për jetë normale, po refuzon të respektojë tre marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë të ndërmjetësuara me Beogradin, 2001, 2009, 2013, sepse qeveria në Beograd këtu në Luginë të Preshevës po shkel rëndë vlerat më elementare të Bashkimit Europian, paqen, demokracinë, të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, drejtësinë, barazinë para ligjit, sundimin e së drejtës”. deklaroi ai.
Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu para protestuesve ka thënë se në Serbi janë 24 komunitete por, sipas tij asnjëri nuk i ka problemet e sfidat që i ka komuniteti shqiptar.
Luftiu tha se jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët edhe pse jemi në tokat tona.
“Në Serbi janë 24 komunitete, asnjëri nuk i ka problemet dhe sfidat që i ka komuniteti shqiptar. Ne jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët edhe pse ne jemi në tokat tona, nuk i kemi uzurpuar, përkundrazi kemi qenë shumë më shumë sesa që jemi sot dhe shumë më gjerë sesa jemi sot”, deklaroi ai.
Tutje, ai ka thënë se padrejtësia vërehet në çdo vend.
Lutfiu theksoi se shkollat shqipe janë në gjendje të mjerueshme, ku nxënësit shqiptar në shkollat e mesme nuk kanë tekste, teksa shtoi se edhe sdutentëve shqiptar nuk i njihen diplomat.
“Këtu padrejtësia vrehet në çdo pjesë, 5.3 milionë euro janë investime që Serbia po bën në shkollat serbe, vetëm në komunën e Bujanocit, ndërsa shkollat shqipe janë në gjendje të mjerueshme. Viti 2024, shekulli 21, vendi Serbi, nxënësit shqiptar në shkollat e mesme nuk kan tekste, studenteve nuk i njihen diplomat”, tha ai.
Kurse, studenti Enis Fejzullahu, ka folur për mosnjohjen e diplomave nga shteti i Serbisë.
“Studentin e Luginës së Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve e pas diplomimit e përcjell barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çka pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij”, ka theksuar ai.