Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka hapur një tender në vlerë 100 mijë euro për organizime dhe manifestime. Ky organizim, siç ka treguar ministria, nuk ka qenë i paraparë dhe procedura nuk ka qenë e planifikuar.

Donika Gërvalla që drejton Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vendosur të bëjë festival për mërgatën.

Në shenjë mirënjohje për mërgimtarët, MPJD po bëhet gati ta mbajë festivalin “Faleminderit Mërgatë”.

Për këtë organizim janë paraparë të shpenzohen 100 mijë euro, kështu thuhet në tenderin që është shpallur.

Mirëpo, ministria në shpallje të tenderit ka bërë një “lojë fjalësh”, pasi nuk ka specifikuar saktë se këto para janë për këtë festival, por ka thënë për organizime dhe manifestime.

“Organizime, manifestime dhe furnizime me rekuizitë për projekte të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Vlera e parashikuar e kontratës: 100,000.00. Takimi për hapjen e tenderëve: data 15.07.2024”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Kurse, në arsyetimin e dhënë është treguar se do të mbahet Festivali “Faleminderit Mërgatë”, i cili parashihet të organizohet më 31.07.2024.

Madje, thuhet se e gjithë procedura e këtij organizmi ka qenë e paplanifikuar.

“Festivali “Faleminderit Mërgatë”, ndikon direkt në promovimin e punës dhe kontributit që diaspora ka bërë për Kosovën ndër vite. Është hera e parë që institucionalisht organizohet një festival që i dedikohet diasporës mërgatës, si shenjë falënderuese për kontributin dhe mbështetjen që i japin shtetit të Kosovës. Përfshirja e diasporës në agjenda të tilla institucionale është edhe ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Aktiviteti ‘Faleminderit Mërgatë” nuk ka qenë i paraparë për këtë vit, prandaj edhe procedura nuk ka qenë e planifikuar. Data e mbajtjes është 31.07.2024”.

Përmes këtij tenderi, MPJD ka treguar se do t’i shpenzojë 100 mijë euro për disa shërbime të ndryshme.

Po ashtu nuk do të mungojnë edhe këngëtarët e të gjitha zhanreve.

“Grup i mirënjohur vendor i muzikës shqipe rock (performancë live 20 minuta). Vokalist i mirënjohur vendor i muzikës shqipe rock (performancë live 20 minuta). JAZZ solo ose ansambel, vendor (performanca 20 minuta). Vokalist i muzikës POP/RNB/RAP/Hip Hop, me grup/vendor (performancë live 20 minuta). Vokalist i muzikës POP/RNB/RAP/Hip Hop, me DJ/i huaj. (performancë 20 minuta). Vokalist i muzikës POP/RNB/RAP/Hip Hop, me DJ/vendor (performacë live 20 minuta). DJ STAR (me renome botërore), performance live min 20 minuta) DJ/Producent (performancë live min 20 minuta). Grup i mirënjohur vendor i muzikës shqipe (performancë live 20 minuta). Vokalist i mirënjohur vendor i muzikës shqipe (performance live 20 minuta). Ansambel për person (performancë live min 20 minuta). /Demokracia.com/