Presidenca e Kosovës sapo ka marrë letrën nga kryesuesi i seancës së djeshme të Kuvendit, Avni Dehari, pasi ajo u ndërpre për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dje njoftoi për ndërprerjen e seancës konstituive pasi nuk u votua raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Shërbimi i deputetëve vërteton se në sallë janë 119 deputetë, por për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i Komisionit në seancë nuk mori votat e mjaftueshme për, në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si të do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.