Osmani: Vuçiqi i ktheu strukturat ilegale paralele në Kosovë në banda mafioze
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Madje ajo tha se nuk e ka zbatuar as atë që ajo e konsideron si më të rëndësishmen, për shpërbërjen e strukturave ilegale paralele në Kosovë.
Në vend që t’i shpërbënte ato struktura, presidentja Osmani në diskutimin në Forumin GLOBSEC 2024, tha se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq i ka forcuar ato duke i shndërruar në “banda mafioze”.
“Asnjë prej marrëveshjeve nuk është zbatuar, veçanërisht ajo e rëndësishmja e vitit 2013, e cila e obligon Serbinë që t’i shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale paralele nëpër Kosovë, në veçanti në veri. Ajo që ka ndodhur këto 10 vjet, është që në vend që t’i shpërbëjë ato struktura, Serbia vazhdimisht i ka forcuar ato deri në atë pikë sa që këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafioze dhe janë kthyer po ashtu në rrezikun më të madh për komunitetin serb që jeton në veri të Kosovës”.
“Këto struktura ilegale janë grupe kriminale që paguhen, emërohen dhe mbështeten politikisht nga Serbia, dhe tani pasi që kryen një akt agresioni kundër Kosovës në shtator, u fshehën nga Serbia në Serbi në mënyrë që të mos përballen me drejtësinë për aktin e agresionit”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit nga grupi i Millan Radoiçiqit në Banjskë 24 shtatorin e vitit të kaluar.
Ajo tha se ata dyshohen edhe për krime tjera, si “vrasja e politikanëve serbë, djegia e shtëpive dhe veturave të serbëve në veri, si kërcënimin e fëmijëve në kopshte… Pra, ata që po vuajnë më së shumti nga këto banda mafioze, të paguara dhe mbështetura nga Vuçiqi në Serbi, janë në të vërtetë serbët në Kosovë”.
Osmani tha se të gjitha këto kanë ndodhur në 10 vitet e fundit, ndërsa kritikoi BE-në që po i vë masa Kosovës, e jo Serbisë.
“Pavarësisht gjithë këtyre, qëlloni se cila është pala nën masa të BE-së? Është pala e cila është 100 për qind e harmonizuar me BE-në në çdo politikë vendimmarrëse të jashtme e të sigurisë, është palë që kurrë nuk blen armë nga Rusia, Kina apo Irani, është palë ku 90 për qind e popullit janë në favor të BE-së, është pala që asnjëherë nuk ka kryer akt agresioni kundër fqinjëve, që nuk destabilizon fqinjët, nuk organizon grusht-shtete kundër fqinjëve, që nuk përdor MIG29 rusë që të fluturojë mbi fqinjët e vetë. Kjo është pala që është nën masa – Kosova. Prandaj, tavolina është e rrëzuar”, potencoi presidentja Osmani në diskutimin në forumin GLOBSEC në Pragë.
Në fund, ajo foli edhe për tërheqjen e Serbisë nga marrëveshja e Ohrit e vitit 2023.
“Pika e fundit për dialogun: një marrëveshje u arrit në shkurt 2023, dhe aneksi më vonë në atë vit, e cila parasheh obligime si për Kosovën ashtu edhe Serbinë. Sipas BE-së dhe ShBA-së, dhe edhe unë pajtohem me këtë interpretim, është traktat ligjërisht i obligueshëm. Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë, e ka njoftuar po ashtu edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se është traktat ligjërisht i obligueshëm. Por, për të gjithë ekspertët: çka ndodh nëse njëra palë formalisht tërhiqet nga një traktat? Pra, parimi themelor i ligjit ndërkombëtar, as pala tjetër nuk ka obligim për ta zbatuar”.
“Serbia është tërhequr formalisht nga kjo marrëveshje përmes letrave të dërguara nga ish-kryeministrja (Ana Bërnabiq, shën.red.) ndaj BE-së, përmes deklarimeve nga presidenti i vendit (Alleksandar Vuçiq, shën.red) dhe nga kryeministri aktual (Millosh Vuçeviq, shën.red.), që thonë: kjo nuk është marrëveshje ligjërisht obliguese, dhe nuk do ta zbatojmë. Tani, pavarësisht këtyre deklarimeve, shumica në BE thonë se Kosova duhet ta zbatojë njëanshëm këtë marrëveshje”.
“Besoj fuqishëm se jemi në një situatë ku duhet ta rikthejmë barazinë në tavolinë. Nëse palët trajtohen në mënyrë të barabartë, atëherë mund të kemi sukses dhe jemi shumë të bindur se me ndryshimet në BE, me një Përfaqësues të Lartë që po vjen, atëherë barazia po vjen në tavolinë”, potencoi presidentja Vjosa Osmani. /Klankosova.tv
Osmani në GLOBSEC: Kur ka koordinim me aleatët, suksesi është afatgjatë – kur s’ka, është momental
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëdhënia e Kosovës me ShBA-në është më e rëndësishmja, më ekzistencialja, dhe marrëdhënia më e domosdoshme nga të gjitha aleancat që vendi i ka ndërtuar përgjatë viteve.
Në bisedën e organizuar në kuadër të Forumit GLOBSEC 2024 që po mbahet në Pragë, me temën “A janë demokracitë liberale aq të brishta sa kurrë më parë?”, Osmani, siç raporton Klankosova.tv, tha se në orët më të errëta, ShBA-ja shpëtoi popullin tonë nga shkatërrimi i planifikuar.
Megjithatë, ajo tha se ditëve të sotme, ka edhe mospajtime ndonjëherë mes ShBA-së dhe Qeverisë së Kosovës. Por thotë se mospajtimet nuk janë për synimin përfundimtar, por për rrugën drejt këtij synimi.
“Ditëve të sotme mund të dëgjoni kohë pas kohe deklarata për mospajtime mes zyrtarëve në ShBA dhe qeverisë së Kosovës për disa prej qasjeve, por kurrë për synimin përfundimtar. Nuk ka mospajtime në faktin se edhe Kosova edhe ShBA-ja duan që Kosova të jetë sovrane, e pavarur brenda kufijve të saj aktualë, të suksesshme, prosperuese, multietnike, bazuar në kushtetutën e saj. Por, qasja ndonjëherë për mbajtjen e një Kosove demokratike, sovrane e të fortë, dhe si ta arrijmë këtë, mund të ndryshojë. Qasja, taktikat, nuancat – kemi dallime në këto, por kurrë s’ka pasur e as që ka tani dallime se çfarë Kosove e duam, se cilat janë vlerat themelore të marrëdhënies sonë”.
“Besoj se kur themelet janë të shëndosha, atëherë gjithçka, përkundër sfidave, mund të tejkalohet”, tha Osmani, raporton Klankosova.tv.
E para e shtetit tha se edhe për rrugën për të arritur diçka, mospajtimet nuk janë për rrugën, por ndoshta se sa shpejt duhet të shkohet në atë rrugë.
“Nuk dua të paraqes se gjithçka është e përkryer, sepse kam qenë shumë e hapur publikisht në pozitën time si presidente, se koordinimi me aleatët kyçë është një prej aspekteve më të rëndësishme të suksesit tonë. Sepse kur koordinohemi me aleatët tanë, veçanërisht me aleatët e sigurisë tonë në terren, atëherë suksesi është më i qëndrueshëm, më afatgjatë. Kur nuk koordinohemi, është sukses momental, mund të duket i mirë, mund të tingëllojë i mirë, por është shumë më fragjil dhe mund të bëhen hapa prapa”.
“Si presidente, këtë qëndrim e kam, dhe besoj fuqishëm që e kemi mësuar këtë se kur mbani aleanca të fuqishme, natyrisht me shtete demokratike, ky është avantazhi juaj, këtu është fuqia juaj. Fuqia jonë më e fortë mbështetet në partneritetet tona”.
Megjithatë, presidentja Osmani e pranoi se “jo të gjithë në Kosovë pajtohet krejtësisht me atë që e them, dhe kjo do të thotë se Kosova është një demokraci e shëndoshë, por sërish, dallimi është mes disave në Kosovë dhe në ShBA se sa shpejt ecim në një rrugë të caktuar, e jo për rrugën apo destinacionin”. /Klankosova.tv