Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur mjaftë ashpër ndaj disa vendeve të Bashkimit Evropian në lidhje me sanksionet ndaj Kosovës, dhe me faktin që ato s’janë larguar ende, shkruan Gazeta Express.

Në një prononcim për gazetarë para fillimit të samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, Osmani ndër tjerash ka thënë se ‘‘jemi të dëshpëruar me trajtimin që Kosova është duke pasur’’, nga këto shtete.

Presidentja është shprehur edhe se masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe jo evropiane.

‘‘Çdo samit i BE-së është një mundësi për tu takuar dhe për të shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për vlerat e BE-së dhe anëtarësimin në të. Nëse bëhem e sinqertë jemi absolutisht të dëshpëruar me trajtimin që Kosova është duke pasur me disa shtete të BE-së. Arsyeja kryesore është se nuk ka progres në largimin e masave ndaj Kosovës. Ato qëndrojnë ende, dhe duket se ato nuk do të largohen këtë dhjetor. Unë besoj që këto masa janë të padrejta dhe jo evropiane.  S’ka asgjë evropiane, kur ndëshkohet një shtet i tërë edhe në projekte për të pirë ujë. Çfarë kaq evropiane për ti ndëshkuar rreth 1.7 milionë evropianë që jetojnë në Kosovë. Shteti më pro-evropian në botë.”, ka thënë ndër tjerash ajo.