Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e zhgënjyer me përgjigjen e ekzekutivit të vendit ndaj propozimit të saj për heqjen e një anshme të tarifave ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Osmani, tha në Rubikon të Klan Kosovës, se lidhur me këtë çështje i kishte dërguar një letër zyrtare Qeverisë së Kosovës, edhe pse ka mundur që vendimin për heqjen e tarifave ta merrte edhe pa aprovimin e Qeverisë.
”Unë kam mundur të bëj diçka tjetër, kam mundur duke qenë udhëheqëse e politikës së jashtme, ku edhe Kushtetuta edhe komentari i Kushtetutës sqarojnë qartë që presidenca si institucion përcakton objektivat strategjike në politikë të jashtme dhe ekzekutivi thjeshtë i zbaton, por për hir të koordinimit e kam dërguar këtë letër në cilësinë e propozimit, mirëpo komunikimi në tëitter s’ka qenë me Qeverinë e Kosovës, ka qenë me palën amerikane, sepse ne jemi informuar nga Kongresi Amerikan sepse koha ka qenë esenciale, momentumi ka qenë esencial dhe më e rëndësishmja ka qenë që Kosova të dalë e para nga e gjithë bota me këtë propozim, por mbi të gjitha kjo s’ka të bëjë me çështje fiskale, ka të bëjë me aleanca strategjike”, tha Osmani.
Osmani e cilësoi si të turpshëm faktin që Kosova nuk ka fare tarifa ndaj Serbisë, por ka tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara.
”Llogariteni sot në prill 2025 Kosova ka zero tarifa ndaj Serbisë, kurse i ka vënë tarifa aleatit të saj SHBA-ve, për mua s’ka turp më të madh dhe në vend se të mirëpritet një propozim nga presidentja e Kosovës, unë nuk jam presidentja e Serbisë, jam e Kosovës, propozimet edhe nga qytetarët kur vinë duhet të mirëpriten le më nga presidentja e Republikës së Kosovës”.
E para e shtetit tutje tha se përgjigjen e Qeverisë Kurti se tarifat ndaj SHBA-së mund të hiqen pas arritjes së një marrëveshje për tregti të lirë e sheh si refuzim ndaj propozimit të saj, derisa theksoi se ky qëndrim i ka dëmtuar rëndë raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë pash refuzim, sepse të thuhet këtë do ta bëjmë vetëm nëse negociojmë marrëveshje të tregtisë së lirë, kushdo që e di se si shkojnë këto punë marrëveshjet e tregtisë së lirë njëherë janë në radhë goxha do shtete para nesh, kur t’i vije radha Kosovës humbet momentumi dhe atë ditë është bërë dëm tepër i madh në momentin kur në vend se të ecet përpara menjëherë, sepse Kosova është dashur që njëanshëm të ia largoj Amerikës atë 10%, për mua s’ka asnjë racionalitet që me Serbinë të mos ketë tarifa kurse me Amerikën të ketë tarifa, kjo ka të bëj me aleanca”, tha Osmani.