Glauk Konjufca, ka folur për gazetën italiane Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa rreth arritjes eventuale të krijimit të një qeverie të re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai ka thënë se beson se do ta arrijnë me pakicat jo-serbe – ndërsa opozitës i përshkroi “qëndrime obstruksioniste”, “sulme agresive dhe goditje të ulëta” gjë që, sipas tij, “ka lënë shenjë”.
“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka pasur një efekt pozitiv në Kosovë, duke e penguar Listën Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë fuqi vendimtare siç ka pasur në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca për OBCT.
“Nëse lind nevoja do të mblidhemi si lidership dhe do të vendosim për hapat e mëtejshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë mbajtur qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft jokonvencionale, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka shtuar Konjufca.