Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur numërimin e votave nga diaspora gati një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Certifikimi i plotë i rezultateve pritet të ndodhë nesër, pasi të përfundojë edhe numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, por ato nuk pritet të ndryshojnë shpërndarjen e mandateve.

Sipas të dhënave përfundimtare të KQZ-së për votat me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 31.963 vota, që përbëjnë 51.57 për qind të totalit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dalë e dyta me 18.933 vota apo 30.55 për qind.

Në vendin e tretë është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 5.878 vota, që përfaqësojnë 9.48 për qind të numrit total.

Ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka arritur të mbledhë 2.000 vota ose 3.23 për qind të votave me postë.

Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora, përfshirë ato të dërguara me postë dhe ato në përfaqësitë diplomatike, tashmë kemi një pasqyrë më të qartë rreth përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Sipas përllogaritjeve të statisticientit Shenoll Muharremi, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 44 mijë e 224 vota, apo 57.31 për qind të totalit, LDK-ja 20 mijë e 42 vota apo 25.97 për qind të totalit, PDK-ja 7 mijë e 53 apo 9.14 për qind dhe AAK/Nisma 3 mijë e 552 apo 4.6 për qind.

Burimi: Shenoll Muharremi

Pas përfshirjes së këtyre votave në përllogaritjen përfundimtare, sipas Eugen Cakollit nga KDI, ndarja e mandateve në Kuvend pritet të duket kështu: Vetëvendosje 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 dhe koalicioni AAK/Nisma 8.

Cakolli theksoi se e vetmja mundësi për ndryshim të konfigurimit parlamentar do të ishte nëse LDK arrin të sigurojë mbi 20 për qind të votave me kusht, çka do t’i mundësonte të fitonte një mandat shtesë në dëm të PDK-së.

Megjithatë, ky skenar kërkon një ndryshim të theksuar në trendin e votave. Sipas Cakollit, një skenar i tillë mbetet pak i mundshëm.

“E vetmja rrethanë, e cila mund të prodhojë lëvizje në (një të vetëm!) mandate, është nëse LDK arrin të marrë mbi 20% të votave me kusht, duke fituar një mandat nga PDK. Por për këtë, do të duhej një ndryshim i dukshëm i trendit, që nuk ka ndodhur më parë.” – tha ai.

Burimi: Eugen Cakolli / KDI