Njësisë së ndërmarrjes publike “Trepça” në Kishnicë i është çkyqur energjia elektrike qe disa ditë, pasi që nuk ka paguar borxhin ndaj KEDS-it.

Kjo njësi që njihet si “Flotacioni i Kishnicës”, ndodhet në afërsi të Graçanicës, merret me prodhim të koncentratit të plumbit dhe zinkut dhe funksionon në kuadër të Minierës së Artanës.

Si pasojë e çkyqjes së energjisë elektrike, në këtë flotacion aktualisht nuk është duke u punuar.

Udhëheqësi i kësaj njësie, Fisnik Frangu, ka thënë se borxhi ka qenë i akumuluar për disa muaj dhe se ka qenë një problem i trashëguar.

“Është borxh i akumuluar domethënë, nuk është borxh i vetëm një muaji, është problem i trashëguar, i vazhdueshëm, edhe për shkak të mospagesës e kanë çkyq rrymën” – ka thënë Frangu.

“Flotacioni në Kishnicë nuk është duku u punu në aspektin e prodhimit për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Është ka mirëmbahet në pjesët vitale që i kemi. Miniera e Artanës është duke u punu. Tash po presim derisa të dalim prej këtij problemi”.

Frangu nuk ka pranuar të jap më shumë informata se sa ka qenë borxhi i akumuluar, duke thënë se për këtë të kontaktohet kryeshefi i Trepçës, Faton Ahmeti. Por ky i fundit nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, as Ministria e Ekonomisë nuk ka kthyer përgjigje nëse është e informuar për këtë problem dhe se, a kanë ndërmarrë ndonjë veprim që Flotacionit të Kishnicës t’i kthehet furnizimi me energji elektrike.

Thirrjeve telefonike nuk i është përgjigjur as zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

KALLXO.com ka kontaktuar me KEDS/KESCO dhe të njëjtit kanë konfirmuar se Flotacionit në Kishnicë i është ndërprerë rryma për shkak të borxhit të papaguar.