Albin Kurti u pyet në një konferencë për media për shkallën e analfabetizmit në Kosovë, që sipas regjistrimit të fundit të popullsisë nuk ka ndryshuar shumë.

Ai tha se ende nuk e ka “studiuar” këtë rezultat, por tregoi përshtypjen e përgjithshme që tha se ekziston për këtë, që tha se lidhet me dallimin e cilësisë së mësimnxënies në zonat rurale krahasuar me zonat urbane.

“Ajo çfarë është përshtypja jonë e përgjithshme është që analfabetizmi është më shumë i shprehur pikërisht te popullsia më e varfër dhe zonat rurale, sepse ekziston një dallim i theksuar në cilësinë e mësimnxënies në disa zona rurale, krahasuar me zonat urbane. Pra, sipas studimeve që janë bërë, edhe të mëhershme, dhe që konfirmohen edhe sot e kësaj dite, dallimi midis fshatit edhe qytetit nuk është aq material sa në kuptimin e përgatitjes mësimore”, tha Kurti.

“Dhe tash si rrjedhojë e kësaj, aty ku popullsia është edhe e varfër, edhe në zonat e largëta rurale, aty analfabetizmi është më i madh”, shtoi ai.

Një mënyrë për ta luftuar analfabetizmin, Kurti tha se “është t’i nxjerrim njerëzit nga varfëria”.

“Sepse disa familje që tash dy e tre breza, për të mos thënë edhe më shumë, janë të varfër, atëherë edhe fëmija e varfër që e kanë mund të ngelin kollaj me mësimnxënie të dobët, ku ndoshta edhe shkolla nuk është prej më të mirave në Kosovë, sepse mësimdhënësit më cilësorë kanë lëvizur më shumë drejt qyteteve që nga çlirimi i Kosovës e këtej. Pra, mënyra kryesore për ta luftuar analfabetizmin, për bindjen tonë, është luftimi i varfërisë, e pastaj na duhet patjetër që të kemi edhe një decentralizim sa i përket kuadrove në të ardhmën, në mënyrë që jo gjithçka të koncentrohet në shtatë qytetet e Kosovës”, tha ai.