Ramadan Nishori i njohur me nofkën “Dani” po rrëfen në mënyrë publike përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 22 vjeçar.
“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka thënë ai.
“Jam këtu që të mos mbetem rob i së kaluarës”, ka potencuar Nishori.
Burri i mbijetuar i dhunës seksuale rrëfehet publikisht për herë të parë
Për nder të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës, një burrë për herë të parë në mënyrë historike, ka bërë publike rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale.
Ai ka shpalosur rrëfimin e tij në organizimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke u bërë burri i parë që del në mënyrë publike me ngjarjen që ia kanë shkaktuar forcat serbe.
“Kur themi ‘zëri im është forca ime’ ne po e njohim dhe vlerësojmë guximin për të folur. Poashtu po i japim zë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është një hap veç i një të mbijetuari, por hap përpara për gjithë shoqërinë tonë drejt dhembshurisë, drejtësisë dhe daljes së të vërtetës në pah”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së.
Rushiti ka thënë se pas 26 vjetëve mund të përpjekjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale, tashmë pas 22 vjetëve është një rast i konfirmuar nga Gjykata Supreme, mbi 10 aktakuza të ngritura, ndërkaq fëmijët e të mbijetuarve marrin shërbime ndihmuese.
Rrugën e tij të publikimit të rrëfimit të dhunimit e ka nisur për herë të parë Vasfije Krasniqi – Goodman, për t’u shoqëruar më vonë edhe nga Shyhrete Tahiri – Sulejmani.