Udhëheqësi i Divizionit të Koordinimit në Rajonin e Mitrovicës në kuadër të Inspektoratit të Punës, Nexhat Fazliu, ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj Hekuran Nikçit, Kryeinspektori i Punës, i cili është emëruar në këtë pozitë nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti – kundërligjshëm – që dy vjet.

Ishte raportuar vazhdimisht se si Nikçi është duke ushtruar që dy vjet detyrën e Kryeinspektorit në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk ishte shpallur konkursi publik i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtarët Publik.

Ai vazhdon ta mbajë këtë pozitë edhe pse në një aktgjykim të Gjykatës së Apelit është konfirmuar vendimi fillestar i Themelores që konstaton se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte të drejtë kur nxori vendimin se emërimi i tij ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

LEXO MË SHUMË:

Në kallëzimin penal të Fazliut, të cilin e ka siguruar Albanian Post, thuhet se i dyshuari Nikçi ka kryer veprën penale që parashihet në nenin 386, paragrafi 1, pika 1.3, neni 394, paragrafi 1 dhe 2, neni 414, paragrafi 1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Në cilësinë e personit zyrtar, Fazliu e ka parashtruar këtë kallëzim penal për moszbatim të aktgjykimeve gjyqësore të Gjykatës Supreme të datës 25 shtator 2024, Gjykatës së Apelit të datës 9 korrik 2024 dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i datës 14 prill 2024, lidhur me vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës të datës 14 korrik 2022.

Përmes këtij kallëzimi penal, Fazliu ka denoncuar se Hekuran Nikçi është i punësuar pa konkurs publik, gjë që vërtetohet edhe me vendimin e KPMSHC-së, të cilët janë të obligueshëm të zbatohen.

Në kallëzim përmendet edhe fakti se kundër këtij vendimi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila e kishte refuzuar ankesën e ministrisë së drejtuar nga Hekuran Murati, duke lënë në fuqi vendimin e KPMSHC-së.

Theksohet edhe se kundër këtij vendimi Ministria e Financave kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, e cila kishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore.

Paraqitet edhe ankesa kundër këtij vendimi që Ministria e Financave e kishte bërë në Gjykatën Supreme, e cila kishte vendosur për të lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Fazliu është ankuar se me këtë punësim pa konkurs të Hekuran Nikçit, i është mohuar e drejta për të konkurruar për pozitën e Kryeinspektorit të Punës, pasi që thekson se “i plotësoj të gjitha kushtet dhe kriteret për të konkurruar në këtë pozitë…”.

Këtë e ka bazuar në dispozitën e nenit 219 të Kodit Penal: “Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”.

Aty thuhet se “kushdo që ia mohon apo kufizon personave të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.

Po ashtu, tek pika dy theksohet se “kushdo që nuk vepron me legjislacionin mbi të drejtat e personave të papunësuar dhe me këtë ia mohon apo ia kufizon të drejtat që iu takojnë atyre, dënohet me dënimin nga pargarafi 1 i këtij neni”.

Nikçi është kallëzuar edhe si i dyshuar që ka kryer veprën penale “mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”, që parashihet në nenin 394 të Kodit Penal, duke qenë se ai nuk ka respektuar vendimin e gjykatës dhe vazhdon të qëndrojë kundërligjshëm në pozitën e Kryeinspektorit.

“Ky është një precedent i rrezikshëm, pasi që ka krijuar një situatë të pasigurt ligjore për të ardhmen, ku vendimet që ai i ka marrë që nga muaji maj 2022, deri më sot, mund të shkaktojnë efekte të dëmshme juridike dhe financiare, për të cilat ai duhet të mbajë përgjegjësi”, thuhet në kallëzim.

Pos këtyre, Nikçi është kallëzuar edhe se është duke ushtruar presion që të mos bashkëpunojë as me Policinë e Kosovës (Krimet Ekonomike), me autorizim të Prokurorisë Speciale.

Për këtë, Fazliu ka paraqitur edhe email-at, të cilat i kishte publikuar Albanian Post, ku Nikçi e ka kërcënuar përmes email-it me ndërmarrjen e masave ndaj tij, vetëm pse vartësi i tij, Vehbi Malaj – Inspektor i Punës në DKR Mitrovicë – i ka dërguar të sanuara lëndën e kërkuar nga polici hetues Gjon Berisha, nga Njësia e Hetimeve të Integruara Financiare.