Xhafer Tahiri, që për katër vjet e udhëhoqi Vushtrrinë si kryetar komune, nuk po e sheh të arsyeshme të jetojë në komunën për të cilën pretendon se ka kontribuar. Vjen nga Stanoci i Poshtëm, por ka vendosur ta ndërtojë jetën e re larg qytetit që dikur e drejtonte, në periferi të Prishtinës, konkretisht në lagjen Matiqan, shkruan Demokracia.com.
Këtë zhvendosje po e lehtëson edhe partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila aktualisht udhëheq Komunën e Prishtinës përmes Përparim Ramës. Komuna i ka lëshuar një leje ndërtimi Tahirit, i cili mbanë pozitë në kryesinë e LDK-së, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut.
Sipas dokumentit zyrtar që ka parë Demokracia.com, thuhet:
“I. I lejohet pronarëve Xhafer Tahiri dhe Igballe Perquku Tahiri, Matiçan – Prishtinë, sipas kërkesës 05 Nr.351/02-136562/24 të datës 17.10.2024, ndërtimi i shtëpisë individuale të banimit me etazhitet S+P+1, në kuadër të Planit Zhvillimor Urban, konkretisht në parcelën kadastrale nr.214-4, ZK Matiçan.
II. Hartimin e dokumentacionit ndërtimor – projektin ideor për objektin nga pika I e këtij vendimi, e ka bërë kompania ‘LSN+Partners’ Sh.p.k., me seli në Sheshin Edith Durham, H14, nr.6, Prishtinë”.
Bazuar në projektin ideor të paraqitur, sipërfaqja e përgjithshme bruto ndërtimore e shtëpisë do të jetë 449.12 m², prej së cilës 53.91 m² janë nën tokë dhe 395.20 m² mbi tokë.
Struktura e shtëpisë përfshin:
- Suterenin (kuota relative -3.00 m, absolute +716.61 m), me 107.83 m² për kthinë teknike dhe depo;
- Përdhesën (kuota 0.00 m, absolute +719.61 m), me 183.22 m² për banim;
- Katin e parë (kuota relative +3.00 m, absolute +722.61 m), me 158.07 m², gjithashtu për banim.
Pra, sipërfaqja totale mbi tokë është 341.29 m².

Parcelën ku do të ndërtojë shtëpinë, Tahiri duket se e ka blerë pas përfundimit të mandatit si kryetar, pasi ajo nuk figuron në deklarimin e pasurisë së vitit 2021, kur ishte ende në detyrë. Në atë dokument, ai kishte deklaruar vetëm një parcelë prej 267 m², të blerë në vitin 2012, pa specifikuar lokacionin.
Gjithashtu, Tahiri kishte deklaruar një shtëpi banimi prej 230 m², përfituar në vitin 2013, si rezultat i shitjes së një banese (të deklaruar në formularët e mëhershëm), dy kredi personale dhe kursimeve. Vlera e deklaruar e kësaj shtëpie ishte 155 mijë euro.
Kostoja e përgjithshme për lejen e ndërtimit ka qenë 4,383 euro, prej të cilave:
- 2,919 euro për taksën administrative (me çmim prej 6.5 euro për m²),
- 1,464 euro për tarifën për rritjen e densitetit ndërtimor.
Tash mbetet të shihet nëse ish-kryetari që kontribuoi për Vushtrrinë, do të kontribuojë më shumë për lagjen e re në Prishtinë, ku nuk është më përgjegjës për rrugët, ndriçimin apo infrastrukturën që ndoshta i mungonte qytetit që e la pas.