Gjykata Themelore në Ferizaj e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji kundër të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasja e rëndë.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 1 prill rreth orës 23:00 në hyrje të një ndërtese, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje parapraken kanë planifikuar vrasjen e zyrtarit policor, Muhamed Likës.
“I njëjti ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit”.
“Pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit ‘D.’, ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “M.D.”, ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i pandehuri H.B., i cili e përcjellë zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar mbrapa e pas kryerjes së veprës penale nga i mituri rreth 14 minuta mbrapa vije në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar”, thuhet në njoftimin e gjykatës, transmeton Klankosova.tv
Më tej, gjykata tha se i pandehuri V.Ç., është parë në shoqëri të të pandehurve R.M., dhe të miturin ku të njëjtit pas kryerjes së veprës penale vërhen duke vëzhguar vendin e ngjarjes.
“I pandehuri E.L., në bazë të video incizimeve është parë në shoqëri të të pandehurve ku së bashku me të pandehurin Sh.K., e përcjellin rreshterin M.L., nga dalja nga Stacioni Policor, ku i pandehuri E.L., derisa ka qenë në veturën ‘Opel Astra’ me të kaluar viktima del nga vetura pronë e të pandehurit Sh., dhe vazhdon me veturën ‘Golf II’ në përcjellje të viktimës, ndërsa i pandehuri Sh., vazhdon me veturën ‘Opel Astra’ duke përcjellë viktimën, i pandehuri D.G., përmes telefonit kontakton të pandehurin H.B. dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjëra tjera të miturit”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftim.
Policia me një aksion të gjerë dje në mëngjes ka arrestuar shtatë të dyshuarit, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka të cilët dyshohen për vrasjen e policit Muhamed Lika.