Shkup, 16 mars – Në Klinikat e Shkupit, spitalin për sëmundje kirurgjikale të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” dhe “8 shtatori” janë hospitalizuar mbi 80 persona të lënduar rëndë në zjarrin që mbrëmë ndodhi në një diskotekë në Koçan. Drejtori i Spitalit të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” Nebojsha Nasto ka konfirmuar për MIA-n se deri më tani tek ata janë pranuar 29 persona, mes të cilëve edhe të mitur, me djegie të rënda në fytyrë, qafë dhe duar.

Nga TOARILUC për MIA-n deklaruan se deri më tani Janë pranuar 31 persona, mes të cilëve edhe të mitur. Në përgjithësi të gjithë me djegie. Në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 17 persona. Në kirurgjinë pediatrike katër presona.

Shumica e të lënduarve nga zjarri në diskotekën e Koçanit që ka ndodhur mbrëmë janë transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit ku po vazhdojnë të marrin ndihmë mjekësore. Në informacionet fillestare nga MPB-ja për MIA-n, theksohet se të paktën 50 persona e kanë humbur jetën në një diskotekë në Koçani, ku mbrëmë ka shpërthyer zjarr gjatë një koncerti të një grupi të njohur.

Sipas informacioneve të publikuara në disa media, zjarri me shumë gjasa ka nisur për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike. Në vendin e aksidentit ndodhet edhe kryeministri Hristijan Mickoski.

Të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike në Koçan janë në terren. Numri i viktimave dhe të lënduarve po përcaktohet. Ende po merren veprime dhe po kryhet inspektim. Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe prokurorët themelorë publikë të PTHP Shkup dhe të PTHPNJKOK janë rrugës për në Koçan. Prokurorisë së Koçanit do t’i vihen në dispozicion të gjitha kapacitetet e prokurorive për veprime urgjente.