Berat Lahu dhe Edmond Azemi janë përjashtuar nga Vetëvendosje sepse sipas partisë, janë njerëz që punojnë për ‘interesa personale’. Risjellim përplasjen më të famshme rreth Badovcit, në një prej seancave të kuvenit komunal të Prishtinës, ku ishte përmendur emri i Albin Kurtit – që sipas asamblistëve të VV-së, ishte ‘vjedhur në emër të tij’ dhe ku Gëzim Sveçla kishte vandalizuar mikrofonin e komunës, duke e shkulur brutalisht nga vendi…
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, njoftoi sot se ka përjashtuar nga partia, Berat Lahun (që është dhëndri i ministrit në detyrë, Librun Aliu) dhe Edmond Azemin.
Sipas kësaj partie, dyshja Lahu dhe Azemi shquheshin për angazhim rreth ‘interesave personale’ dhe në rrugën “e gjatë dhe të vështirë” të VV-së, këso lloj njerëzish nuk kanë vend.
“Dy anëtarë të grupit parlamentar të Kuvendit Komunal në Prishtinë janë përjashtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e Lëvizjes VETEVENDOSJE!, me vendim të komisionit disiplinor të Lëvizjes. Vendimi i parë është marrë me datën 10.03.2025. Votimi dhe prezenca në seanca në të cilat dëmtohet interesi publik dhe tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve për interesa të ngushta, janë arsyet e këtij përjashtimi. Rruga jonë është gjatë dhe vështirë, ata që për interese personale tjetërsojnë këtë rrugëtim nuk kanë vend në Lëvizje!”, – thuhet në njoftimin e partisë Vetëvendosje.
Në dhjetor të vitit 2024, në një prej seancave të kuvendit komunal të Prishtinës, asamblistë të kësaj partie, mes tyre edhe këta të përjashtuarit sot, kishin një përplasje të ashpër, kryesisht rreth çështjes së Badovcit.
Edmond Azemi dhe Berat Lahu (dyshja e përjashtuar sot nga partia), patën qëndruar në sallë duke bërë kuorumin për votimin e buxhetit të Prishtinës, përderia kjo nuk ishte pranuar lehtë nga aktivistë të Vetëvendosjes.
Gëzim Sveçla, Egzon Azem e madje edhe shefi i kabinetit të Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli, kishin shkuar aty që të ndikonin te dy asamblistët Lahu dhe Azemi, që të largoheshin nga salla (dhe rrjedhimisht mos ta votonin buxhetin).
Nacionale, pothuajse në kohë reale, kishte siguruar një video ekskluzive atë ditë, ku dëgjohej e plotë biseda mes tyre.
Aty përmenden emir i kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurti, përmendej hajnia, pronat në Badovc.
Një nga debatet më të bujshme të asaj dite, ishte ai në mes të Egzon Azemit – aktivist i njohur i partisë Vetëvendosje, dhe asamblistit (tashmë të përjashtuar) Berat Lahu (që njëherit është edhe dhëndri i ministrit në detyrë Liburn Aliu).
“Nëse të kanë kërcënu me burg, kallxo Për qita po t’bojnë presion”, dëgjohej teksa i thotë Egzon Azemi-Berat Lahut.
“O Egzon, unë e kam vujtë, e kam kry..”, përgjigjet Lahu.
“Kur m’i kallxoni negociatat, kur m’i kallxoni negociatat për Badovcin, tani… S’ki nevojë… (nuk kuptohet). E mbroj veten. Kur t’mi kallxoni negociatat për Badovcin, unë kam me dalë. Kur t’mi kallxoni negociatat për Badovcin. O s’munet me m’shantazhu mu kërkush. As ti as kërkush. Se ti e bon, se qekjo shantazh osht”, dëgjohej Berat Lahu.
“Interesi i popullit u kanë me ia jap 50 milionë komunës të Prishtinës a? (Nuk kuptohet)”, thotë Lahu.
“Në emër të Albin Kutit janë vjedhë edhe për Badovcin. Në emër të Albin Kurtit jam shantazhu. A e nive çka tha? A e nive çka tha? A e nive çka tha? Ti je dëshmitar (…nuk kuptohet)”, dëgjohet teksa thotë Lahu.
“Qe ku o ky zotnia që e votojke Badovcin. Dilke në foltore (nuk kuptohet), e ka negociu. Pse kena nejtë, pse kena nejtë qitu? Në emër të Albinit ia ke dhanë 50 milionë. Ti i ke dhanë, ti, ti, ti (nuk kuptohet). Albin Kurti i thirrke njerëzit në telefon (nuk kuptohet) Dil sqarone atje 50 milionëshin… O Egzon lej këto farë sendesh, a keni marrë masa që e ka votu këto? Mos më bon presion”, thotë Lahu.
Për videon e publikuar nga Nacionale, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte njoftuar fillimin e trajtimit të rastit.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, ju njoftojmë se prokurori i shtetit është duke e trajtuar rastin dhe është në fazën fillestare të procedurës, andaj për momentin më shumë informata lidhur me këtë nuk mund të jepen!”,thuhej nga Prokuroria.