Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti,në lidhje me deklaratën e tij gjatë mbledhjes me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për rrezikimin e gjuhës shqipe.
Ajo ka vlerësuar se kryeministrin Kurtin historia do ta njohë si lider përçarës të kombit shqiptar.
“Historia do të njeh si lider PËRÇARËS i kombit shqiptar! Një lider që pretendon të mbrojë interesat kombëtare nuk mund të përfshihet në retorika që dëmtojnë arritjet e bashkëkombësve në rajon.
Në vend që të shërbejë si urë lidhëse mes shqiptarëve kudo ku ndodhen, Kurti po ndjek një linjë që forcon ndasitë dhe krijon konflikte të panevojshme. Bashkëpunimi dhe uniteti janë rruga drejt suksesit!”, ka thënë ajo.
Kurti ka thënë se çështja e kontestimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është çështje e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për çka ka thënë se presin vendim të drejtë dhe jo diskriminues.
Kurti ka sqaruar se nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën por sipas tij ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve.