Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, në një konferencë për media, ka thënë se po ngre zërin kundër “tendencave të qeveritarëve për të shfuqizuar mbikëqyrjen parlamentare”, transmeton Gazeta Express.
Musliu tha se kryetarja e Komisionit për mjedis, ushqim, bujqësi, planifikim dhe zhvillim, Fitore Pacolli, ka pamundësuar raportimin në komision të ministrave Faton Peci e Liburn Aliu.
Ajo shton se ka pasur kërkesa dhe propozime që Aliu e Peci të raportojnë në komisionin ku ajo është anëtare.
“E kemi ftuar këtë konferencë për të shprehur shqetësimin tonë dhe për të ngritur edhe një herë fuqishëm zërin tonë kundër tendencave të qeveritarëve që përmes deputetëve të shumicës të shfuqizojnë mbikëqyrjen parlamentare, njërin nga instrumentet kryesore të demokracisë në vend. Përgjatë gjithë këtij mandati qeverisës ne e kemi ngritur vazhdimisht zërin për keqqeverisjen që u instalua nga VV. Bashkë me raportimet e mediave e kemi bërë të mundur që të gjithë qytetarët e Kosovës të shohin qartë të vërtetën e keqqeverisjes dhe abuzimit me subvencione nga ana e ministrit Faton Peci. Në këtë kontekst me një angazhim të vazhdueshëm kemi nxjerrë në pah tendencën kryesore të pushtetit aktual që është eliminimi i kontrollit parlamentar demokratik. Metoda e degjenerimit të këtij instrumenti demokratik kontrollues është elementi kryesor i pushteteve diktatoriale, deputetët e VV’së e kanë dëshmuar që janë të papërgjegjshëm dhe tejet abuziv me besimin që e morën nga qytetarët e këtij vendi. Njëra nga këta deputetët e papërgjegjshëm dhe skajshmërisht të dëmshëm për funksionimin institucional është kryetarja e komisionit parlamentar për mjedis, ushqim, bujqësi, planifikim dhe zhvillim, Fitore Pacolli. Ajo servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin dhe mbi përgjegjësinë e saj si pjesë e organit më të lartë në vend, Kuvendit të Kosovës. Si anëtare e këtij komisioni, dua të theksoj se Fitore Pacolli u tregua ekstremisht e papërgjegjshme dhe abuzive sa i përket legjislacionit në fuqi përmes të cilit sigurohet funksionimi i sistemit tonë demokratik parlamentar. Ajo në vend të transparencës, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies zgjodhi të mbështes mendësinë grabitçare, korruptive, nepotiste dhe klienteliste të kësaj qeverie. Dua të theksoj se Fitore Pacolli, si udhëheqëse e komisionit në fjalë, gjatë gjithë vitit 2024 asnjëherë nuk e ka ftuar në raportim ministrin Peci përkundër faktit se ka pasur propozime dhe kërkesa të vazhdueshme nga anëtarë tjerë të komisionit. Njëjtë ka vepruar edhe me ministrin Aliu, ministrat që janë në përgjegjësi të komisionit që ajo drejton. Për më tepër pothuajse të gjitha mbledhjet e komisionit janë thirrur pa i respektuar procedurat dhe rregulloren e kuvendit”, tha ajo.
Musliu shtoi se Pacolli “është sinonim i përfaqësimit të papërgjegjshëm dhe se si abuzohet me besimin e qytetarëve”.
Ajo e quajti Pacollin “marionetë të pushtetit”, që sipas saj e ka neglizhuar dhe përvetësuar punën e komisionit parlamentar.
“As Fitore Pacolli, as ministrat abuzivë, as kryeministri që ka instaluar një mendësi shkatërruese nuk mund të ndjehen komodë sepse të gjithë duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve për çdo veprim dhe për çdo shpërndarje të fondeve të dedikuara për bujqit”, tha ajo.