Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, tha se i kanë numrat për formimin e Qeverisë.

Por, ai s’iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se si i kanë siguruar ato vota.

“Gjithsesi”, tha Murati kur u pyet nëse janë gati për seancën e 15 prillit, e cila është caktuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

I pyetur më pas nëse i kanë numrat, Murati u përgjigj: “Patjetër që po. 61 – sa më shumë [numra të kemi] aq më mirë”.

“Sipas Kushtetutës, me vota të deputeteve të Kuvendit”, tha ai, duke refuzuar të tregojë nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje koalicioni meqë pa një të tillë Vetëvendosje e vetme s’i ka numrat.

“Për të gjitha këto [koalicionet me parti] është çështje e subjektit, pra Sekretariatit të Vetëvendosjes. Patjetër që do t’i kemi votat”, tha ai.

Edhe disa deputetë të tjerë nga Vetëvendosje sot shprehën optimizëm se i kanë votat për formim të Qeverisë pa treguar se si i kanë siguruar.

Deklaratat e tyre vijnë dy ditë pas deklaratës së nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili tha se pa koalicion s’do ta kenë të mundur formimin e qeverisë.