Qeveria e Kosovës ditë më parë i ka dërguar një letër KFOR-it me zotimin se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk vendoset në veri pa autorizimin paraprak të tyre.
Lidhur me këtë nga Ministria e Mbrojtjes në një përgjigje për Telegrafin, kanë bërë të ditur se dërgimi i kësaj letre nga ministri Ejup Maqedonci ka qenë më shumë një sqarim sesa rizotim.
“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqarohet që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës. Në letër Ministri ka sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e ka thënë dhe publikisht në media, është ritheksuar që institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK-së në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Tutje nga kjo ministri kanë theksuar se letra zotuese e vitit 2013 është dërguar nga ish-kryeministri Thaçi për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.
“Pra çështjet përmbajtësore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin e Ministrit dhe të Komandantit të KFOR-it është që të sigurojmë që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar”, kanë deklaruar nga Ministria.
Institucioni që udhëhiqet nga Maqedonci kanë ritheksuar se assesi nuk bëhet fjalë për rizotim.
“Pra, nuk bëhet fjalë për ri-zotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s. Ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”, thuhet në përgjigjen e tyre.