Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka hedhur poshtë sërish zërat që kanë qarkulluar mbi cilësinë e ushqimit për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë një seance të Kuvendit, ministri theksoi se ushtarët po furnizohen rregullisht me tri vakte ushqimore të përditshme.

Maqedonci bëri të ditur se sot, për herë të parë, një mijë ushtarë të vendosur në Babaj të Bokës kanë shijuar biftek të klasit të parë, të përgatitur nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Unë me të vërtetë vlerësoj që fatmirësisht ju jeni të ushqyer me lajme të rreme,” deklaroi ai.

“Mirëpo ushtarët po vazhdojnë të ushqehen me ushqim në tri shujta, dhe sot pikërisht 1 mijë ushtarakë që i kemi në Babaj të Bokës për herë të parë kanë ngrënë biftek të klasit të parë,” shtoi Maqedonci.

Standardet e NATO-s

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla maujin e kaluar shpjegoi për REL-in se FSK-ja u përmbahet standardeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) sa i përket ushqimit për ushtarët, duke u kujdesur për vlerat ushqyese dhe kalorike që duhet të marrin ata përmes ushqimit.

Dhe, sipas tij, këto vlera variojnë në bazë të gjendjes aktive të ushtarëve gjatë fazës së trajnimeve, operacioneve, ushtrimeve apo aktiviteteve ditore administrative.

Megjithatë, ai pranoi se po punohet që të plotësohet mungesa e disa artikujve, përkatësisht pemëve dhe perimeve.

Shteti fqinj, Mali i Zi, që është pjesë e NATO-s, kujdeset për vlerat ushqyese, sipas standardeve specifike të aleancës, duke u ofruar ushtarakëve të vet tri lloje të shujtave: të lëngshme, të thata dhe të përziera.

Në grupin e parë përfshihen ushqime të ndryshme, si: perime, mish, ushqime të konservuara, vezë të freskëta e të tjera.

Ndërkaq, ushqimet e thata janë ato që kryesisht janë të përgatitura paraprakisht dhe ushtarët i marrin me vete në terren.