Dejona Mihali, e cila është vetëm koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, vazhdon të ushtrojë pushtetin mbi ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndonëse Mihali, dora e fuqishme e Kurtit në Vetëvendosje dhe në pushtetin e pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, nuk ushtron asnjë funksion zyrtar, nuk i përgjigjet dhe nuk i raporton asnjë institucioni në Republikën e Kosovës, prej shumë kohësh mediat kanë dëshmuar me fotografi se ministra, deputetë e udhëheqës institucionesh të varura e të pavarura, janë koordinuar me të, shkruan Demokracia.com.

“Takimet” me Dejona Mihalin janë konfirmuar në shumë raste nga deputetë të Vetëvendosjes, por edhe nga vetë ministrat e Kurtit, të cilët janë munduar t’i relativizojnë këto takime.

28 TETOR 2024 – SVEÇLA: “TË GJITHË KONSULTOHEMI ME DEJONA MIHALIN”

Pavarësisht se Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është në mesin e ministrave që ka qasje në informacione të ndjeshme të sigurisë të Republikës së Kosovës, ai ka pranuar publikisht se këshillohet me Dejona Mihalin, person pa asnjë detyrë zyrtare dhe që nuk ka kaluar verifikimin e institucioneve të sigurisë.

“Unë konsultohem me Dejonën. Absolutisht! Jo vetëm unë, por të gjithë”, ka qenë përgjigja e ministrit Sveçla kur është pyetur për ndikimin e Mihalit në Qeverinë Kurti dhe në Kuvendin e Kosovës.

“Si nuk është normale me nejt me Dejonën. Unë s’kam kohë sa duhet me Dejonën”, tha fillimisht Sveçla për këtë çështje në një intervistë për “Kallxo.com”, e transmetuar më 28 shtator 2024.

27 SHTATOR – HAXHIU: KA SHUMË RASTE KUR KONSULTOHEMI ME DEJONA MIHALIN

Jo vetëm Ministri i Brendshëm, por edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila udhëheq një dikaster me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës, ka pranuar se “konsultohet” me Dejona Mihalin, e cila nuk i përgjigjet dhe nuk i raporton asnjë institucioni shtetëror.

Në pyetjen e gazetarit Fidan Jupolli, se mos po i shkruan Dejona Mihali sa ajo ishte duke dhënë intervistë për emisionin “DPT TE FIDANI” në Klan Kosova, meqë kjo e fundit shikonte herë-herë telefonin, Haxhiu tha se ajo “ndjehet shumë mirë” kur Dejona i dërgon mesazh.

“Unë shumë ndjehem mirë kur më shkruan Dejona”, tha ajo.

Mihali, sipas Haxhiut, është personi që brenda partisë i ka ndihmuar asaj më së shumti.

“Gjatë gjithë kohës sa kam qenë deputete, sa kam qenë ministre, që nuk ta mbyllë asnjëherë derën, që gjithmonë të gjendet është Dejona Mihali”, shtoi Haxhiu.

Në pyetjen e Jupollit për ta përshkruar karakterin e Mihalit, Haxhiu vlerësoi se Dejona është “grua shumë e zonja”.

“Unë e dua shumë. Është shumë grua e guximshme, është shumë profesioniste, është shumë punëtore, është shumë bashkëpunëtore”, tha ajo.

TETOR 2023 – TAKIMI I DYSHIMTË I DEJONA MIHALIT ME MINISTRIN E MBROJTJES, EJUP MAQEDONCIN

Në tetorin e vitit 2023, Mihali është fotografuar në takim në një kafe në parkun e Gërmisë me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin. Maqedonci udhëheq me një institucion që në themel qëndron: Siguria e Republikës së Kosovës.

20 SHTATOR 2024 – U INTERVISTOVA PËR TA ZBARDHUR TË VËRTETËN” | SI U BË KAQ E FUQISHME DEJONA MIHALI, QË PA POZITË SHTETËRORE TË DIJË “TË VËRTETA” PËR DISA ÇËSHTJE PENALE?

Më 20 shtator 2024, Dejona Mihali është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për një çështje të madhe penale, siç është rasti për korrupsion i ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i emëruar në këtë pozitë me mbështetjen e fuqishme të kryeministrit Kurti.

Intervistimi i Mihalit, një person i pavotuar dhe pa asnjë pozitë zyrtare shtetërore në institucionet e Republikës së Kosovës, ka ngritur pikëpyetjen e madhe se si u bë ajo kaq e fuqishme që të dijë “të vërteta” për disa çështje penale?

“Nga prokurori u intervistova për ta zbardhur të vërtetën”, tha ajo derisa nuk pranoi që t’iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.