Futbollisti 15-vjeçar i Fushë Kosovës U15, Belgin Jashari është i ftuar në emisionin “Frontal” në T7.

Ai ka folur për momentin kur është goditur nga sulmuesi, dhe se çfarë ka menduar në ato momente.

“S’kam pas ide, kur më ka thanë që ti je për me mbledh hekura e jo për futboll. Më rëndë më ka ardhur kur më ka thanë kështu, sesa goditja ndaj meje”, ka thënë ai.

Ai tutje, ka bërë me dije se çka ka bërë në anën ligjore.

“Kam dhënë deklaratë në Polici, ia kam lënë ligjit në dorë këtë punë. Fokusi im është vetëm ndeshja e radhës”, shtoi ai.

Në vazhdim, ai ka bërë me dije se çfarë ofendime merr gjatë ndeshjeve.

“Në Fushë-Kosovë nuk pranoj ofendime, vetëm nga lojtarët kundërshtar në fushë. Më thonë: ‘He, maxhup, s’po ta don a?’. Unë i kaloj këto vetëm me lojë në fushë”, tha Jashari.

Belgini i tregoi reagimet që i tërhoqen më shumë vëmendjen.

“Falënderoj popullin e Kosovës, klubin e Fushë Kosovës që s’e ka fshehur videon, falënderoj trajnerët. Më shumë që ka marrë vëmendjen time janë dhurata e Edon Zhegrovës dhe reagimi i Presidentes së Kosovës. Zhegrovën e kom idoll, ai ka kaluar në sakrificat e mia”, përfundoi ai