Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci ka dhënë një tender për larje të veturave. Pastrimi i tyre do të bëhet me shampon brenda e jashtë dhe do të shpenzohen afro 3 mijë euro. 

Ministria e Bujqësisë ka treguar se 37 vetura do të dërgohen në autolarje për pastrim.

Pastrimi i tyre nuk do të jetë shumë i thjeshtë, pasi është kërkuar që pastrimi i automjeteve të MBPZHR-së të bëhet me shampon brenda dhe jashtë, shkruan Demokracia.com.

“Pastrimi i automjeteve të MBPZHR-së me shampon brenda dhe jashtë. Vlera e parashikuar e kontratës: 3,000.00 euro. Data e dhënies së kontratës 28.08.2024. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 03.09.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 2. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata AJANI & ADAMI.  Vlera e përgjithshme e kontratës 148.00 euro”.

Ministria e Bujqësisë ka vendosur edhe dy kërkesa për kompaninë fituese.

“Kërkesa 1: Operatori Ekonomik duhet që të ketë së paku një objekt për larjen e automjeteve me së paku tri vende – kabina për larjen e automjeteve, fotografi që dëshmojnë posedimin e jo më pak se tri vende-kabinave për larjen e automjeteve”.

Kurse në kërkesën tjetër thuhet se objektet-autolarjet duhet të jenë jo më larg se 5 kilometra nga qendra e qytetit në Prishtinë.

“Kërkesa 2: Objektet-autolarjet duhet të jenë jo më larg se 5 Kilometra nga qendra e qytetit në Prishtinë – Bulevardi Nëna Terezë, bazuar në rrugën më të afërt tokësore të asfaltuar. Dëshmitë për kërkesën nr.2. Nëse objekti-autolarja është në pronësi si dëshmi kërkohen kopjet e dokumentacionit të pronësisë. Nëse objekti- autolarja është marrë me qira si dëshmi kërkohet kopja e kontratës se qirasë”. /Demokracia.com/