Me ftesë të Ushtrisë amerikane një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Combined Resolve 25”, i cili po zhvillohet në bazën ushtarake amerikane në Hohenfels, Gjermani.
Sipas FSK-së, ky ushtrim ka për qëllim testimin dhe vlerësimin e gatishmërisë së njësive luftarake të NATO-s, si dhe përgatitjen e shteteve partnere për operacione të përbashkëta dhe ndërveprim.
“FSK i është bashkuar ushtrimit me ftesën e Ushtrisë Amerikane, duke synuar ngritjen profesionale, forcimin e ndërveprimit me shtetet partnere dhe rritjen e gatishmërisë për të vepruar në një mjedis të kombinuar shumëkombësh. Gjithashtu, pjesëmarrja në “Combined Resolve 25” ofron mundësinë për shkëmbimin e përvojave me forcat ushtarake të shteteve të NATO-s, dhe partnere pjesëmarrëse në ushtrim.
FSK-ja thotë se ky angazhim pasqyron përkushtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të kontribuuar në sigurinë dhe stabilitetin në nivel ndërkombëtar, si dhe për të avancuar aftësitë operacionale, sipas standardeve më të larta ushtarake.