Kosova po përballet sërish me rritje të çmimeve të energjisë elektrike, një zhvillim që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në faturat e qytetarëve dhe bizneseve. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar një rritje prej 15% që mund të hyjë në fuqi nga 1 prilli ose 1 maji, në varësi të vendimit të Bordit më 11 prill, raporton Demorkacia.com.

Kjo nuk është hera e parë që energjia shtrenjtohet, në mars të vitit 2023, tarifat u rritën me 15.4%, me arsyetimin se ky hap ishte i domosdoshëm për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm. Përveç rritjes së çmimeve, nga 1 qershori 2025 pritet të hyjë në fuqi një tjetër ndryshim i madh: bizneset me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro do të kenë mundësinë të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë, një hap drejt liberalizimit të tregut, por që ka ngjallur shqetësime për rritje të mëtejshme të kostove.

Energjia elektrike në Kosovë në vitin 2023 ishte shtrenjtuar për 15.4 për qind. Kështu kishte vendosur më 30 mars 2023 Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kryesuesi i këtij bordi, Ymer Fejzullahu, ketë e kishte arsyetuar duke thënë se rritja ka ndodhur për shkak se mundëson furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Ne konsiderojmë se nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm me energji, kostoja do të jetë shumëfish më e madhe sesa përqindja e propozuar. Ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, kishte thënë ai.

Furnizimi i rregullt me rrymë në dy vitet e fundit nuk ka ndodhur.

Tarifat e reja të rrymës edhe në 2023 patën hyrë në fuqi nga 1 prilli.

Sipas tarifave të reja, zyrtarët ZRRE-së patën thënë se për konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri në 300 kilovat në orë, nëse proporcioni i konsumit është 60 [tarifa e lartë] me 40 [tarifa e ulët], fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 80 centë.

Për ata që kanë konsum deri në 450 kilovat në orë, fatura mujore kishte ketë rritje prej 4 euro e 18 centë.

Për konsumatorët që kishin konsum deri në 600 kilovat në orë, rritja e faturës mujore ishte 5 euro. Dhe për konsumatorët deri në 800 kilovat, ku 80 për qind e konsumatorëve janë pjesë e kësaj kategorie, rritja mujore ishte rreth 7 euro e 23 centë.

Ndërkaq, për ata që konsumojnë 1.000 kilovat në orë, rritja mujore ishte 10 euro.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, pas mbledhjes kishte folur për gazetarët, duke treguar se kanë vendosur që rritja e energjisë të jetë për të gjitha kategoritë, dhe jo vetëm për një, sikurse ishte kërkuar që rryma të shtrenjtohej vetëm për konsumatorët komercialë.

“Ky vendim i prek të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Ata tashmë e kanë një mundësi dhe i lusim konsumatorët që të konsumojnë sa më shumë energji gjatë orëve jashtë pikut, kur çmimet e energjisë janë shumë më të favorshme”, kishte thënë ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë paralajmëroi se, nga muaji prill, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.

ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.

Sipas këtij institucioni, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Pas shtrenjtimit të pritshëm të rrymës në prill, bizneset në Kosovë do të përballen edhe me një ndryshim tjetër të rëndësishëm pas dy muajsh.

Nga 1 qershori, kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, do të kenë mundësi të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë dhe të dalin në tregun e hapur.

Ky hap është pjesë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, por ka ngjallur shqetësime mes afaristëve dhe organizatave të biznesit, që paralajmërojnë për çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve.