Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar disa të dhëna të rëndësishme që kanë dalur nga regjistrimi i popullsisë, e në mesin e tyre është edhe pjesa e arsimit, pra niveli i shkollimit të qytetarëve të vendit.

Për dallim nga viti 2011, nga të dhënat e publikuara nga ASK-ja vërehet përmirësim i dukshëm në nivelin e shkollimit.

Megjithatë, edhe në këtë regjistrim, ka të dhëna të ndryshme.

Sipas raportit të ASK-së, 30 mijë e 902 e qytetarë janë analfabetë, ndërsa në vitin 2011 kanë qenë 55 mijë.

Mbi 24 mijë qytetarë të Kosovës janë pa arsim formal, pra nuk kanë të përfunduar ndonjë nivel të arsimit, por që dinë shkrim dhe lexim. Ky numër, në vitin 2011 kishte qenë në mbi 82 mijë qytetarë.

186 mijë qytetarë janë me arsim fillor të përfunduar. Sipas ASK-së, në vitin 2011, kishin qenë mbi 245 mijë.

Me arsim të mesëm të ulët janë 389 mijë qytetarë, përderisa ky numër në vitin 2011 kishte qenë 501 mijë.

475 mijë e 809 qytetarë kanë të përfunduar arsimin e mesëm të lartë, përderisa me këtë shkollim në vitin 2011 kishin qenë 427 mijë.

Kurse, me arsim të lartë të përfunduar janë 233 mijë e 559 qytetarë, për dallim nga 116 mijë e 912 sa kishin qenë në vitin 2011.