Në Kuvendin e sotëm vjetor të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka pasur tensionim të situatës, ku në pamjet e publikuara nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, shihen disa persona, në mesin e të cilëve vetë Rahimaj, pastaj Erden Atiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, që shihet teksa shtyn bashkë me Rahimajn një person tjetër.
Rahimaj, në postimin e tij në Facebook, tha se Asociacioni i Komunave ka degraduar në tërësi.
E pas kësaj, ka thirrur konferencë për media kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke thënë se janë të pritshme tollovitë e tilla të krijuara nga metodat e Vetëvendosjes me tendenca siç tha, të heqjes së vëmendjes nga rënia e lirë e tyre në Drenas dhe në gjithë Kosovën.
“Kjo sot ka qenë më shumë për ta vendosur në lajthitje krejt kuvendin dhe për ta mbuluar një gjë që e ka bërë tashmë Vetëvendosja – shpifjen, mashtrimin, rrenën, mospunën, korrupsionin dhe të gjitha ato që i shihni përditë në Kosovë”, deklaroi ai.
Ne pyetjen se a është e vërtetë që e ka shtyrë fizikisht kryetarin e Kamenicës, Lladrovci u shpreh: “Unë shpesh herë them që jam bulldozher dhe kush me del përpara e marr pas vetes, por nuk është e vërtetë që e kam shtyrë. Unë kam kërkuar nga ta sepse sikur ata kanë të drejtë të dalin të pengojnë zhvillimet e punimeve të kuvendit, edhe ne që jemi shumica kemi të drejtë t’u themi largohuni dhe na lëshoni ne ta mbajmë kuvendin, sepse ne i kemi lënë punët tona sot nëpër komuna për të shkuar për ta mbajtur kuvendin”.