Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer një auditim të performancës mbi “Listat e Pritjes në Institucionet Shëndetësore Publike”. Objektivi i këtij auditimi ishte të vlerësonte masat që kishte ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes, përfshirë shpërndarjen e burimeve (njerëzore dhe materiale), si dhe mënyrën e regjistrimit dhe monitorimin e këtyre listave. Rezultatet e auditimit janë alarmante, shkruan Demokracia.com.
Auditori ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes. Ka shpërndarje jo të barabartë të burimeve njerëzore dhe materiale në sektorë të ndryshëm shëndetësorë, si dhe mënyra aktuale e regjistrimit të pacientëve në listat e pritjes nuk siguron transparencë, saktësi dhe trajtim të drejtë të pacientëve.
Gjetjet kryesore të auditimit lidhur me pyetjet e shqyrtuara përfshijnë mungesën e planeve të ministrisë për zhvillim profesional të personelit mjekësor, si dhe joefektivitetin e aktiviteteve të ministrisë për ruajtjen e personelit mjekësor.
Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës me Lista të Gjata të Pritjes:
- Klinika e Kirurgjisë Vaskulare: Më shumë se 2,000 pacientë në listë, me një kohë pritjeje mesatare prej 2.8 vitesh.
- Klinika e Ortopedisë: Afërsisht 1,300 pacientë, më shumë se dy vite pritje.
- Klinika e Oftalmologjisë: 1,120 pacientë, me një kohë pritjeje prej 6-7 muajsh.
- Klinika e Kardiologjisë: Rreth 3,000 pacientë, pritje më shumë se një vit.
- Klinika e Radiologjisë: Më shumë se 2,500 pacientë në pritje deri në gjashtë muaj.
- Klinika e Kardiokirurgjisë: Afërsisht 50 pacientë në pritje, me një kohë të zgjatur të pritjes që ka arritur deri në 4-6 muaj.
- Shtatë Spitalet Rajonale: Pacientët në këto spitale presin për një kohë më të shkurtër krahasuar me klinikat e tjera.
Shpërndarja joefikase e burimeve krijon pengesa dhe kohë të gjata të pritjes
Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, veçanërisht dhe spitalet rajonale sipas ZKA nuk janë efikase në trajtimin e kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor. Kërkesat për trajtim janë të mëdha, ndërsa kapacitetet e sistemit shëndetësor për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave janë të kufizuara, veçanërisht në infrastrukturë dhe pajisje, si dhe në disa raste në materialin mjekësor.
“Nuk është bërë shpërndarje e harmonizuar mes burimeve njerëzore dhe materiale, duke krijuar një mospërputhje mes numrit të mjekëve specialistë dhe infrastrukturës dhe pajisjeve që janë në dispozicion. Për shembull, numri i ortopedëve në raport me sallat operative është 9 me 1, dhe në klinikën e kardiologjisë (kardiologjia invazive) është 8 me 1. Në spitalet rajonale, këto shërbime nuk ofrohen fare. Po ashtu, angazhimi i mjekëve nuk është uniform, pasi disa janë më aktivë me operacione krahasuar me kolegët e tyre. Në një klinikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, disa mjekë kryejnë rreth 500 operacione në vit, ndërsa të tjerë vetëm një operacion në vit. Një gjendje e ngjashme është gjetur në së paku katër klinika”, thuhet në raportin e parë nga Demokracia.com.
Kapaciteti i kufizuar dhe pajisjet e vjetruara pengojnë trajtimin në kohë
Auditimi ka identifikuar mungesën e anesteziologëve që ofrojnë shërbime në klinikat kirurgjike, e cila redukton kapacitetet operative të klinikave. Pajisjet e vjetruara ndikojnë negativisht në efikasitetin e trajtimit të pacientëve. Menaxhimi jo i duhur i furnizimit me material mjekësor dhe pamjaftueshmëria e materialit pengojnë gjithashtu trajtimin në kohë të pacientëve.
“Një shembull është furnizimi me proteza totale të gjurit dhe të kërdhokullës, të cilat janë të disponueshme vetëm në klinikën e ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa spitalet rajonale nuk furnizohen me to. Situatë e ngjashme është edhe për furnizimin me thjerrëza të syrit, ku vetëm klinika e oftalmologjisë është e furnizuar, ndërsa spitalet rajonale furnizohen vetëm me sasi simbolike. Këto kufizime prekin më së shumti pacientët që kërkojnë trajtim jo urgjent, ndërsa pacientët në urgjencë dhe ata të hospitalizuar marrin trajtim më të shpejtë”, thotë raporti i ZKA-së.
Mungesa e transparencës dhe praktikat e vjetruara pengojnë menaxhimin e Listës së Pritjes
Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sipas raportit, nuk ka një sistem të centralizuar dhe formal për regjistrimin e pacientëve në lista të pritjes, gjë që cenon saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave. Për shkak të mënyrës aktuale të regjistrimit, nuk ka të dhëna të qarta për numrin e pacientëve dhe kohën që duhet të presin për shërbime shëndetësore. Disa institucione shëndetësore (reparte të caktuara në spitalet rajonale) nuk mbajnë regjistra të listave të pritjes. Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të regjistrimit krijon hapësirë për keqpërdorim të burimeve publike dhe manipulimin e listave të pritjes, duke ndikuar në ndarjen e padrejtë të shërbimeve shëndetësore.
“Për këtë arsye, klinikat dhe spitalet rajonale nuk janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë efikase kërkesave për trajtim mjekësor. Ky joefikasitet prek kryesisht pacientët elektivë apo ata që kanë patologji që mund të presë për trajtim. Ndërsa për pacientët në urgjencë dhe ata të hospitalizuar, klinikat dhe spitalet ofrojnë trajtim më të shpejtë”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.
Për të përmirësuar gjendjen aktuale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 3 rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë dhe 10 rekomandime për Bordin Drejtues/Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar. Menaxhmenti i Ministrisë dhe i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar ka pranuar gjetjet dhe konkluzionet e auditimit dhe është zotuar për zbatimin e rekomandimeve të dhëna.