Kandidati për deputet nga AAK-Nisma, Fatmir Limaj, ka thënë e kaluara jonë është e ndërtuar mbi vepra të mëdha dhe çdo hap i shënuar në historinë tonë është një vepër që na ka udhëhequr drejt një të ardhmeje më të ndritur, raporton Gazeta Blic.
Ai ka përmendur veprat, si autostrada e Dukagjinit dhe Gjilanit, zhvillimi i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Ai ka thënë se këto projekte i shtyjnë që të realizojnë një tjetër projekt të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, siç është ndërtimi i Aeroportit të Gjakovës.
Postimi i tij i plotë:
E kaluara jonë është e ndërtuar mbi vepra të mëdha, dhe siç e dimë, çdo hap i shënuar në historinë tonë është një vepër që na ka udhëhequr drejt një të ardhmeje më të ndritur.
Përfundimi i autostradës së Dukagjinit dhe të Gjilanit, projekt që do të lidhë të gjithë qytetarët e vendit. Kjo është një investim në infrastrukturë, një mundësi që do të hapë dyer të reja për zhvillimin ekonomik, dhe lehtësimin e qarkullimit.
Po ashtu, zhvillimi i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” është një histori suksesi që na jep fuqinë dhe besimin për të shkuar përpara.
Ky sukses na shtyn që të shkojmë më tej dhe të realizojmë një tjetër projekt të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, siç është ndërtimi i Aeroportit të Gjakovës. Ky aeroport do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për rritjen e turizmit, tregtisë dhe mundësive ekonomike për qytetin dhe për tërë vendin.
Përmes këtyre veprave dhe shumë të tjera që do të vijojnë, ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën që të ecë përpara, duke krijuar mundësi të reja për brezat që vijnë. Ekzistojnë sfida, por me punë, angazhim dhe unitet, do të realizojmë ato që i kemi premtuar qytetarëve tanë.
Fatmir Limaj