Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma Socialdemokrate (AAk-Nisma) ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, ku numri dy i këtij subjekti politik, Fatmir Limaj, ka drejtuar akuza ndaj qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një mandat të mbushur me mashtrime dhe përçarje.

Në fjalimin e tij, Limaj tha se qytetarët e Dukagjinit dhe gjithë Kosovës, përmes votës së tyre më 9 shkurt, do t’i japin fund, sipas tij, një qeverisjeje që ka prodhuar vetëm fjalë boshe.

“Nesër, Dukagjini dhe Kosova do t’i thonë mjaft shpifjes dhe urrejtjes. Mjaft atyre që për katër vite nuk kanë bërë asgjë tjetër përveçse kanë shitur fjalë dhe kanë përçarë Kosovën”, deklaroi ai para mbështetësve të tij.

Limaj akuzoi Kurtin për mungesë përkushtimi ndaj kategorive të luftës dhe shtresave në nevojë, duke theksuar se veteranët dhe invalidët e luftës janë lënë në harresë.

“Në vend që të japë përgjigje përse për katër vite invalidët që dhanë pjesë të trupit për lirinë e Kosovës i la rrugëve, ai vjen këtu dhe flet sikur të ishte një Lenin i vogël”, tha ai.

Limaj e cilësoi programin e Kurtit si një plan për “mjerim dhe varfëri”, duke e akuzuar atë për tendenca të centralizimit të plotë të pushtetit.

“Ai na fton në mjerim e varfëri. Ai thotë: ‘Burra e gra të Kosovës, krejt çka i keni, m’i bini mua—edhe shtetin, edhe ligjin, edhe prokurorinë, edhe votat, edhe fëmijët’. Ka gjetur vendin më të gabuar për të shpalosur idetë e tij leniniste—në Pejë”, u shpreh ai.

Në fund të fjalimit, Limaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për listën 137, duke theksuar se koalicioni AAK-Nisma përfaqëson një Kosovë fituese.

“Nesër, të gjithë së bashku t’i themi stop urrejtjes, stop mashtrimit, stop shpifjes dhe t’i kthehemi Kosovës fituese me listën 137”, përfundoi ai.