Lidhjet e tregtarëve të energjisë elektrike mbërrijnë deri në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Fisnik Korenica dhe Veton Surroi, dy këshilltarë të jashtëm të kryeministrit Albin Kurti janë të implikuar në tregun e energjisë, tregon një hulumtim i Paparacit. Korenica, një profesor universitar dhe tregtar i energjisë elektrike, është përmendur edhe si “mik i Nagip Krasniqit” gjatë dëshmisë së ish-kryeshefit të KEK-ut në Prokurori. Surroi, një publicist dhe shkrimtar, është ortak i Gentijan Sulos, njërit prej tregtarëve kryesor të energjisë me KEK-un.

Kryeministri Albin Kurti është i rrethuar me njerëz që kanë lidhje të forta me tregtarë të energjisë elektrike

Skema e lidhjeve të tregtarëve të energjisë çon deri te Zyra e Kryeministrit.

Pas Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit, të dy të implikuar në skandalet e tregtimit të energjisë, edhe dy këshilltarë të Kurtit figurojnë të afërt me tregun, apo tregtarë të energjisë të licencuar në Kosovë.

Fisnik Korenica, një profesor universitar dhe Veton Surroi, një publicist, ish-drejtues i një partie politike dhe shkrimtar, tash për tash të angazhuar si këshilltarë të jashtëm të kryeministrit, rezultojnë të kenë lidhje të forta me pazaret energjetike.

Të dy janë të angazhuar si këshilltar të kryeministrit për dialogun me Serbinë nga Grupi për Studime të Politikave Ballkanike (BPRG) në një projekt të Ambasadës së Norvegjisë.

Dosja e Nagip Krasniqit, ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të ngarkuar me dy aktakuza, e ka zbuluar implikimin e Korenicës në një rast të dyshuar korruptiv në KEK. Korenica është përmendur në dëshminë e Krasniqit para prokurorëve specialë në lidhje me angazhimin e avokatit Isuf Zejna si konsulent ligjor të KEK-u

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi ishte rekomanduar nga një mik i tij për angazhimin e studios ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në bashkë-pronësi të avokatit Isuf Zejna.

Ky mik i ish-kryeshefit të KEK-ut është Fisnik Korenica, këshilltari i jashtëm i kryeministrit me të kaluar afariste në energji.

Përfshirja e thellë e Korenicës në tregun e energjisë është zbuluar nga formulari i deklarimit të pasurisë së bashkëshortes së tij, e cila punon si zëvendës-avokate e popullit.

Formularët e deklarimit të pasurisë së bashkëshortes së Korenicës për vitet 2023 dhe 2024, dëshmojnë se këshilltari i Kurtit ka qenë zotërues i 50 për qind të aksioneve në një kompani që merret me tregti dhe shpërndarje të energjisë elektrike deri në vitin 2024.

Në deklarimin e vitit 2023, bashkëshortja e tij deklaronte se data e regjistrimit të kompanisë së këshilltarit të Kurtit ishte 16 korriku i vitit 2021 dhe po atë ditë ishte edhe data e përfitimit të aksioneve.

Pas deklarimit të pasurisë nga bashkëshortja e Korenicës, kjo kompani i është bartur Bardhyl Hasanpapajt, një njeriu të afërt me presidenten Vjosa Osmani, i cili zotëron 100 për qind të kapitalit. Osmani, sa ishte drejtuese e Partisë Guxo, i kishte zyrat partiake në një pronë të Hasanpapajt.

Kompania ‘Smart Energy & Infrastructure’, regjistri i të dhënave në ARBK

Përfaqësues i autorizuar i këtij biznesi është Ardian Kaçaniku që mban pozitën e drejtori menaxhues, thuhet në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Aktualisht, Fisnik Korenica, që njihet si intelektual dhe aktivist i shoqërisë civile, figuron të jetë pronar i një kompanie tjetër që merret me shërbime të konsulencës të organizatave publike dhe private. Ai është edhe themelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), bashkë me Dren Dolin, aktualisht ambasador i Kosovës në Holandë, i emëruar në shërbimin diplomatik gjatë qeverisjes së Kurtit.

Veton Surroi, një tjetër këshilltar i jashtëm i kryeministrit Albin Kurti, është i lidhur ngushtë me një nga tregtarët kryesor të energjisë në Kosovë e Shqipëri.

Shkrimtari e publicisti Surroi është ortak i tregtarit dhe oligarkut nga Tirana, Gentijan Sula.

Surroi zotëron 30 për qind të aksioneve në kompaninë “Stella Consulting”, të regjistruar me bazë në Prishtinë. Pjesa tjetër e aksioneve të këtij afarizmi i takojnë Gentijan Sulës.

Gentijan Sulo, ortaku biznesor i Veton Surroit

Sulo, me kompaninë “Stella Consulting” është përfshirë në aferën e madhe korruptive “Brezovica”, në vitin 2022. Ai po përballet me një proces gjyqësor nën akuzat për shkatërrim të mjedisit. Dyshohet se po ndërtonte pa leje një objekt hoteliere në zonën e Brezovicës.

Të dhënat në formularin e pasurisë së bashkëshortes të Fisnik Korenicës

Ortaku i Surroit është pasuruar edhe nga pazaret me Korporatën Energjetike të Kosovës. Por, me një kompani tjetër në të cilën këshilltari i jashtëm i kryeministrit nuk zotëron aksione.

Në librat e shit-blerjeve të KEK-ut, të cilat ishin pjesë e aktakuzës së parë ndaj Nagip Krasniqit, del se “Noa Energy Trade” Sh.P.K, në pronësi të Gentijan Sulës, ka realizuar tregti të energjisë me KEK-un.

“Noa Energy Trade” Sh.P.K. dhe “Noa Energy Trade – Dega në Kosovë”, dy kompanitë e ortakut të Surroit, janë në mesin e tetë kompanive me të cilat KEK-u tregtonte energji gjatë udhëheqjes së Krasniqit.

Aktakuza ndaj Krasniqit dëshmon edhe për një transaksion të shit-blerjes së energjisë të realizuar mes “Noa Energy Trade” dhe KEK-ut.

“Nga Fatura e shitjes date 10.0L2022, numer 12/2022, Ieshuar nga shitesi ‘NOA energy trade’, per KEK, vertetohet se ky tregtare ka te kalkuluar edhe TVSH-n”, thuhet në një pjesë të aktakuzës.

Surroi, vazhdon të jetë i angazhuar si këshilltar i jashtëm për dialog i kryeministrit Albin Kurti. Ai është i angazhuar në kuadër të Grupit për Studime të Politikave Ballkanike (GSPB), projekt i Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë.

Tregti me KEK-un ka realizuar edhe dega e kompanisë sllovene “Gen d.o.o.” në Beograd.

Kjo kompani është e lidhur ngushtë me Martin Berishajn, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, të implikuar në skandalin më të madh të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Ambasadori Berishaj, siç ka raportuar Paparaci rreth dy vite më parë, po hetohet për dyshimet e kryerjes së tri veprave penale: shpëlarjes së parave, shmangies nga tatimi dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Bazuar në një hulumtim të Paparacit, kompania e ambasadorit Berishaj në Kosovë ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.

Të gjitha të dhënat për këto transaksione i posedon Paparaci.

Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” – dega në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.

Një raport i një task-force hetuese zbuloi se Berishaj nëpërmjet kompanisë së tij, “MB Consulting”, me filial në Mal të Zi ka bërë transaksione të dyshimta me elemente të shumta të shpëlarjes së parave.

Veprimtaria e biznesit “MB Consulting” të ambasadorit Martin Berishaj, po ashtu dyshohet se është kryer duke iu shmangur tatimeve në Kosovë për pesë vite me radhë.