Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala e Avdullah Hoti kryesojnë listën e kandidatëve më të votuar të LDK-së për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe figura të tjera të njohura të LDK-së arritën të sigurojnë mijëra vota, duke treguar besimin e elektoratit dhe programin që shpalosën gjatë fushatës zgjedhore.

Ndër kandidatët më të votuar ishin personalitete të njohura të partisë, e megjithatë kishte edhe surpriza.

Derisa procesi i numërimit ende po vazhdon, deri më tani kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku ka marrë 94 mijë e 778 vota.

Kandidatja e dytë më e votuar është Doarsa Kica-Xhelili e cila ka marrë 38 mijë e 19 vota. Pas saj është Hykmete Bajrami me 35 mijë e 707 vota.

Deri më tani, në vendin e katërt rënditet Kujtim Shala me 31 mijë e 703 vota të siguruara, kurse në të pestin është ish-kryeministri Avdullah Hoti më 26 mijë e 196 vota

Të gjithë këta luajtën rol kyç gjatë fushatës dhe në zhvillimet politike të kohëve të fundit.

Pas këtyre emrave të njohur të LDK-së, në listën e siguruar nga Paparaci, në dhjetëshen e kandidatëve më të votuar për deputet renditen: Lutfi Haziri, Anton Quni, Jehona Lushaku-Sadriu, Imri Ahmeti dhe Armend Zemaj.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë mbi 147 mijë vota apo 17.67 për qind, duke u renditur e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje me rreth 340 mijë vota dhe Partisë Demokratike të Kosovës me mbi 184 mijë vota.

Ndonëse ndarjet e ulëseve mund të ndryshojnë pas numërimit të të gjitha votave, deri më tani pa votat e diasporës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 20 mandate