Tre deputetët e NISMA-s “do t’ia votojnë” qeverinë e Albin Kurtit – por, pa hyrë me të në koalicion.
Kështu kupton ekskluzivisht Nacionale nga burime të mirëinformuara.
Këto janë edhe vetë pritshmëritë e Albin Kurtit, i cili – siç marrim vesh – në disa takime të veta ka deklaruar me gojë të vet se i pret tre votat e NISMA-s.
Por, qe qysh rrodhi situata…
Burime tona tregojnë se NISMA i ka bërë me dije partive opozitare, në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës, që po qe se s’kanë marrëveshje të përbashkët opozitare për të ndërtuar shumicë parlamentare në eventualitetin – jo larg mendësh – të dështimi të Vetëvendosjes për ta bërë – atëherë, ata assesi nuk e dërgojnë vendin në zgjedhje të reja, por ia votojnë Kurtit qeverinë, por pa u hyrë në koalicion me të.
Me ç’duket, pozicioni i ngurtë i Lidhjes Demokratike të Kosovës – e cila numrat i sheh të këmbëve të drunjta dhe të shkurta – ka bërë që NISMA të nis ta konsiderojë të dështuar këtë perspektivë të partive ish-opozitare.
Rrjedhimisht edhe vota për Vetëvendosjen.
Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramus Haradinaj, ditë më parë “Debat Plus” ia faturoi LDK-së fajin për “pozicion bllokues” në këtë tregim.
Për herë të parë sot ishte vetë Albin Kurti që u shpreh i bindur se me t’u thirrur seanca konstituuese e Kuvendit të Kosovës “synon” që njëherësh të votohet edhe qeveria e tij – ndonëse nuk u lëshua të tregoi se në çfarë numrash e bazon.
Kurti ka 48 mandate, duke e supozuar edhe 10 të pakicave jo serbe dhe Nenad Rashiqin – del në 59.
Me tre votat e NISMA-s, Kurti do të mund të votonte qeverinë e tij me 62 vota.
Pasi u sigurua se i ka tre deputetë Fatmir Limaj ndërroi krejt lojën dhe diskursin në skenën kosovare paszgjedhore.
Kur numrat i luajtën mirë Limajt, në paraqitjen e tij të parë në “Debat Plus” pas zgjedhjeve, duke u thirrur në “interes nacional”, s’e përjashtoi as bashkëpunimin me Vetëvendosjen.
“Kusht t’më fton në tavolinë, unë shkoj ulna – për tema nacionale. Çka po të vynë një qeveri jo funksionale, kurrë. Nuk hy në një qeveri jofunksionale. As nga opozita nuk e përjashtojë që ulem“, tha Fatmir Limaj.