Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë që Albulena Haxhiu të propozohet sërish për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Gjatë një vizite në fshatin Rogovë të Hasit, ku u përurua një urë e re, Kurti u pyet nga KosovaPress për kandidaturën e Haxhiut, por ai nuk dha një përgjigje konkrete, transmeton klankosova.tv.

Në vend të kësaj, ai u shpreh:

”Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës ndërtojnë tokën, e shiu është për bereqet”.

Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur procesi për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit vazhdon të ngecë. Albulena Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në tentimin e tretë për të seancës së pestë të seancës konstituive – duke marrë 57 vota për, 46 kundër dhe 3 abstenime.

Kreu i ekzekutivit gjithashtu refuzoi të komentojë edhe për kallëzimin penal të paralajmëruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Seanca konstituive pritet të vazhdojë të premten, në orën 10:00, ndërsa mbetet e paqartë nëse LVV do të rikandidojë Haxhiun apo do të propozojë një emër të ri.