Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka lënë të hapur mundësinë që Forca e Sigurisë së Kosovës të shkojë në pjesën veriore të vendit.
Sipas tij, kjo mund të bëhet në koordinim me KFOR-in.
“Besoj se kërkesa është diskutuar me kryeministrin, për të mbështetur Policinë dhe KFOR-in për të kryer misionin e tyre në veri. KFOR-i nuk është forcë penguese, por për siguri e stabilitet e një forcë partnere. Me një mandat të NATO-s e s’e konsiderojmë ndalesë faktin se duhet të koordinohemi me ta. FSK-ja është forcë e dizajnuar për të operuar në çdo pjesë të Kosovës. Ne synojmë të bëjmë koordinim paraprak me KFOR-in kur ka nevojë të operohet. KFOR-i ka mandat për t’i ruajtur kufijtë, për të mos lënë rikthimin e forcave okupatore serbe. E nëse KFOR-i vazhdon të tregon seriozitetin në raport me mandatin”, është shprehur ai në Interaktiv të KTV-së.
“Kur vlerësohet se ka nevojë për pjesëmarrje, FSK-ja do të jetë atje (në veri) e kjo do të bëhet në koordinim me KFOR-in. Vlerësoj se FSK-ja ka mandat për të operuar në tërë territorin. Kërkesa për koordinim është çështje operacionale, e jo mandati. Nuk vihet në pikëpyetje apo mandati të jetë FSK-ja në veri, në pyetje është aspekti operacional dhe nevoja për koordinim”, ka shtuar ai.
“Nuk është e ndaluar por kërkohet koordinim paraprak. Ne synojmë të bëjmë koordinim paraprak kur ka nevojë të operohet në veri të vendit tonë”, tha Maqedonci.