Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, bëri të hënën paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale në Hagë, ku po përballet me akuza për ndikim mbi dëshmitarët.

Kuçi është deklaruar i pafajshëm.

“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është në prej momenteve të errëta për mua si një njeri i drejtësisë, që e ka mision dhe profesion tërë jetën. Jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë për mbi 30 vite, si kryetar i komisionit kushtetues të Republikës së Kosovës, që Kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj pr tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate”, ka thënë Kuçi në Hagë.

Kuçi tha se nuk ka bërë asnjë vepër penale dhe ka besim të plotë që do të lirohet nga akuzat.

“Nuk do ta zhgënjej askënd, as ju as drejtësinë. Me lejoni të jem i qartë, unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim ë plotë që do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçin. Me lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku, ne kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj edhe kemi besuar në drejtësi”.

“Unë si jurist kam përdorur sloganin ‘sundimi i ligjit me ligj’. Edhe sot besoj që kjo gjykatë po e bën dhe do ta bëjë njëjtën gjë. Punë ime është identifikuar në funksion të ndërtimit të drejtësisë, me respektimin e vendimeve gjyqësore, në besimin në drejtësi dhe jo në mosbindje ndaj urdhrave të gjykatës se çfarë thotë akuza.”, tha ai.

Në të njëjtën aktakuzë përfshihen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.

Gjatë ditës së sotme pritet që Kilaj të paraqitet para gjykatës për të dhënë deklaratën e tij.