Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kandidatit për deputet të kësaj partie, Xhafer Tahiri, lidhur me numrin e nxënësve në këtë komunë dhe çështjen e mësimit tërë ditor.
Në një postim publik, Idrizi e cilësoi si të pavërtetë informacionin e përmendur nga Tahiri dhe të mbështetur nga Abdixhiku, duke theksuar se Komuna e Vushtrrisë ka rreth 12,000 nxënës, dhe jo 3,000, siç pretendohet. Ai u bëri thirrje për përdorimin e të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për të shmangur përhapjen e informacioneve të pasakta.
“Mos u bazoni në të dhënat që ju ofron Xhafer Tahiri, sepse ju nxjerr keq para opinionit,” shkroi Idrizi, duke i sugjeruar Abdixhikut të mos lejojë gabime të tilla të cilat dëmtojnë besueshmërinë publike.
Idrizi gjithashtu kritikoi Tahirin për, sipas tij, mungesën e njohurive mbi realitetin e Vushtrrisë dhe përmbajtjen e postimeve të tij në rrjetet sociale. Ai vuri në dukje se shumica e projekteve të infrastrukturës shkollore në Vushtrri ishin realizuar gjatë mandatit të ish-kryetarit Bajram Mulaku, dhe jo gjatë periudhës së Tahirit. Në këtë kontekst, ai theksoi se Tahiri ka kontribuar vetëm me disa projekte, të cilat, sipas tij, ende janë temë debati mes qytetarëve.
“Në vend që ta largonte këtë video skandaloze, ai e postoi në profilin e tij dhe madje ju falënderoi juve për premtimin e mësimit tërë ditor në Vushtrri,” shkroi Idrizi, duke e cilësuar këtë veprim si një politikë grindavece dhe pa argumente.