Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka publikuar një video, ku shihet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili atëbotë ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, të themeluar në kohë të luftës.
Krasniqi ka shkruar se në këtë video shihet Thaçi, duke e hapur shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës.
Sipas Krasniqit, Kosova si histori e bukur suksesi është meritë e lidershipit të duhur dhe policisë së mrekullueshme.
“Në qershor të vitit 1999, Hashim Thaçi me shokët e tij u kthye fitimtar nga frontet e luftës për çlirimin e Kosovës. I vetëdijshëm se pas lirisë, rruga për ngritjen e shtetit sapo kishte filluar, me 6 shtator të po atij viti, Hashim Thaçi, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërrua në Polici të Kosovës.
Që nga ajo ditë, me dhjetëramijëra qytetarë të Kosovës kanë shërbyer në uniformën e vendit të tyre, duke garantuar sigurinë, paqen dhe stabilitetin në vend” – ka shkruar ai.