Sot në ora 16:00 do të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pasi Gjykata Supreme nuk e aprovoi asnjë nga ankesat, KQZ-së iu hap rruga për të certifikuar rezultatet.
Demokracia.com ka siguruar letrën që KQZ ua dërgoi dje partive politike.
KQZ-ja ua ka kujtuar partive neni 26 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, ku në paragrafin 1 thuhet se “në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më datën 26.03.2025, ka pranuar vendimet e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me procesin ankimor ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me shpalljen e rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së. Po ashtu kemi pranuar konfirmimet nga këto dy institucione se nuk kanë ndonjë ankesë tjetër që ka të bëjë me procesin zgjedhor që pret vendimmarrje. Andaj, në zbatim të nenit 26 paragrafi 1 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës (Ligji Nr.08/L.117), ju njoftojmë se certifikimi i rezultatit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më datën 09.02.2025, do të bëhet më datën 27.03 .2025 në ora 16:00”, thuhet në letrën që kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u ka dërguar partive politike.

Në bazë të kësaj letre , Kurti dhe ministrat e tij duhet të kishin dhënë dorëheqje për të respektuar ligjin.
Deri më tani, Kurti po e injoron këtë, duke mos dhënë dorëheqje. Pritet të shihet nëse para orës 16:00 do të japin dorëheqje nga pozitat e tyre kryeministrit dhe ministrat.