Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të zhvillojë një mbledhje të mërkurën, ku do të miratohet dizajni dhe përmbajtja e fletës së votimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, të planifikuara për datën 9 shkurt 2025. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Pas hedhjes së shortit për renditjen e partive politike në fletëvotim, ky hap do të formalizojë dokumentin kyç që do të përdoret gjatë procesit zgjedhor.

“Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.

Kjo do të pasohet nga fillimi i procesit të votimit për qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit, i cili është parashikuar të nisë të enjten, më 9 janar.

Shorti i hedhur të hënën përcaktoi renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, ku ndër të tjera, Lëvizja Vetëvendosje u rendit me numrin 118, PDK-ja me numrin 131, LDK-ja me numrin 124 dhe koalicioni AAK-NISMA me numrin 137.

Fushata zgjedhore do të hapet zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë për një periudhë prej gati katër javësh, duke u mbyllur më 7 shkurt, vetëm dy ditë përpara datës së zgjedhjeve.

“Që nga mesi i muajit gusht KQZ-ja po zhvillon përgatitjet intensive për zgjedhjet, dhe deri më tani shumica e përgatitjeve janë kryer. Edhe ngjarja e sotme është e rëndësishme sepse i papaprin aktiviteteve siç është dizajni i fletëvotimit. Më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës me votuesit përmes postës, më 11 janar subjektet politike fillojnë fushatën zgjedhore. Ftoj të gjitha subjektet që t’i përmbahen ligjeve e rregullave zgjedhore”, bëri të ditur dje kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi