Portali “Infokus” ka raportuar të enjten për dyshime se ka ndodhur një ndërhyrje e rëndë në procesin zgjedhor. Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, raportohet se ka marrë vetë zarfet me fletëvotime nga posta dhe i ka dërguar në ambasadë.

Në lidhje me këtë, në një përgjigje për Nacionalen ka reaguar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke thënë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove është bërë sipas akteve nënligjore dhe më pas, do të merret vendimi.

“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor” – thuhet në një përgjigje të zëdhënësit Valmir Elezi.

Gjatë javës, Nacionale raportoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka respektuar Planin Operacional për Siguri në rastin e transportimit të fletëvotimeve për në diasporë.

Në kundërshtim me këtë plan, të cilin e ka miratuar më 15 janar, KZQ-ja ka nisur pakot me fletëvotime jashtë Kosovës pa siguri të nevojshme.

Ndonëse në planin në fjalë thuhet se siguria dhe përcjellja e materialit të ndjeshëm zgjedhor gjatë transportimit të pakove të fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës duhet të ofrohet nga Policia e Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në këtë proces, KQZ-ja ka anashkaluar Policinë e Kosovës dhe zyrtarët e saj, duke ia besuar sigurinë e këtij procesi zyrtarëve të caktuar të MPJD-së.

Vlen të theksohet se Nacionale raportoi edhe mbi shqetësimet e shprehura rreth transportimit të fletëvotimeve në diasporë.

Gjatë një mbledhje të KQZ-së, anëtari i AAK-së, Ibrahim Selmanaj shprehu shqetësimet e vëzhguesve të kësaj partie.

Meqenëse janë përcjell në dy shtete, në Cyrih dhe Shtudgart, në dy postat. Një vërejte që është përcjell prej vëzhguesve të Aleancës kanë shprehur dyshimet e tyre rreth transportit. Në një far forme, po rrezikohet besueshmëria e këtij procesi. Jam i obliguar me thanë atë që e kanë parë dhe e kanë vërejtur. Nuk janë të kënaqur me formën e trapsportimit, nuk ka ndonjë dyshim te postat, te tubimi i zarfeve dhe tubimi i fletëvotimeve, por forma e trasportimit nuk është ajo forma që te jep besueshmëri” – ka thënë Selmanaj.

Ndaj shqetësimeve të Selmanajt, ka reaguar u.d. Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala.

Lidhur me transportimin e materialeve ose zarfeve me fletëvotimeve, transporti është siguruar me Ministrinë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Këto mjete transporti që janë të didikuara për dalje në terren dhe jashtë Kosovës janë mjete që transportojnë edhe materiale tjera të ndjeshme siç janë pasaportat, e tjera. Aq më shumë ku pas arritjes në Cyrih dhe Shtutgart ky mjet transportues është përcjell prej veturave të shërbimeve diplomatike të Republikës së Kosovës” – ka thënë ai.