Gjykata ka dënuar me burgim të përjetshëm gjermano-iranianen Shahraban KB dhe kosovarin Sheqir Krasniqi për vrasje brutale të algjerianes Khadidja O.

Për këtë ngjarje që ka tronditur gjithë Gjermaninë por edhe më gjerë, u diskutua në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.

Gazetarja Albulen Zogjani sqaroi se Shahraban ishte parukiere në kërkim të sozisë së saj për ta vrarë dhe kështu për ta shpallur veten të vdekur, për t’i ikur problemeve që i kishte.

“Ajo i ka shkruar Khadides që të shkonte ne sallonin e saj te ondulimit si modele, dhe kjo e fundit kishte pranuar. Shahrabani dhe Sheqiri kanë shkuar ta marrin dhe në një pyll aty pranë e kanë vrarë duke e goditur 56 herë me thikë në kokë”.

“Ajo kishte në plan që ta vriste dikë që përngjan me të dhe veten ta shpallte të vdekur me qëllimin që t’i ikte disa problemeve familjare që i kishte. Shahraban ishte e ndarë nga bashkëshorti i saj. Kur është bërë autopsia, familjarët e kanë parë se nuk përputhet ADN-ja. Ata për disa ditë kanë menduar që i kishte vdekur e bija”, deklaroi Zogjani.

Ndërkaq, Malbura Guro deklaroi se sipas mediave gjermane, flitet për arsye të ndryshme të vrasjes.

“Kjo ka dashur ta shpalle veten të vdekur për t’i dhuruar vetes një jetë të re. Është përmendur xhelozia, por flitet edhe për një arsye të magjisë së zezë. Flitet që kjo ka besuar vetë në magji të zezë. Të dyja vajzat nuk është se ngjajë dhe shumë me njëra-tjetrën”.

“Nuk dihet ende se ku është vrarë viktima dhe me cilën armë. Arsyet më të detajuara nuk dihen”, deklaroi Guro në lidhje direkte nga Gjermania.

Ajo tutje shtoi se Sheqir Krasniqi nuk ka dhënë asnjë deklaratë në gjykatë, madje ka mbajtur Shahrabanin në mbrojtje dhe nuk ka mohuar asgjë nga deklaratat e saj, duke qenë se ajo ka thënë hapur që vrasjen e ka kryer Sheqiri.

“Ai ishte takuar me estetisten vetëm disa ditë pak para vrasjes që kishte ndodhur. Ende nuk dihet se pse e ka ndihmuar ai Shahrabanin në këtë vrasje. RTL online shkroi se atij i është ofruar 80 mijë euro për të kryer këtë vrasje. Kjo është një nga mundësitë. Shahraban rrjedh nga një familje e pasur, kështu thuhet në një artikull”, shtoi Guro.