Kosova sot përballet me një nga ndotjet mjedisore më të rënda në rajon, duke u renditur ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë. Në disa periudha, kryeqyteti Prishtina ka hyrë në top pesë qytetet me ndotjen më të madhe të ajrit globalisht, duke sjellë shqetësime serioze për shëndetin e qytetarëve. Mjedisi dhe Planifikimi Hapësinor: Kështu quhet kapitulli qe ka disa nënkapituj tjetër në strategjia e qeverisë së Kosovës i miratuar në vitin 2021, nga qeveria Kurti si strategji 2021- 2025. Si ndodhi qe Qeveria e la në berllog vendin, ndonëse në programin e vetë qeverisës kishte dhëne zotime të mëdha.Demorkacia.com sjell detaje …
Ndotja nuk kufizohet vetëm në ajër. Kosovën e karakterizojnë rrugët e paasfaltuara, kontejnerët e mbushur me mbeturina të pamenaxhuara si duhet, dhe mungesa e një sistemi të organizuar për ndarjen dhe riciklimin e mbeturinave. Kodrat dhe hapësirat publike shpesh janë të mbuluara me mbeturina, duke krijuar një panoramë të trishtuese që pasqyron mungesën e përkushtimit institucional ndaj çështjeve mjedisore. Lumenj e të shkatërruar e të mbushur plot me mbeturina.
Në prag të fushatës zgjedhore, qytetarët përkujtojnë premtimet e bëra nga qeveria aktuale lidhur me mjedisin dhe planifikimin hapësinor. Dokumenti i qeverisë përmbante një vizion ambicioz për zhvillim të qëndrueshëm, mjedis të pastër dhe menaxhim të integruar të resurseve natyrore. Por sa janë realizuar këto premtime?
- Përmirësimi i cilësisë së ajrit: Premtimi ishte miratimi i Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe krijimi i një portali kombëtar për cilësinë e ajrit. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të jetojnë në ajër të ndotur, pa një monitorim të qartë dhe masa konkrete për reduktimin e burimeve të ndotjes.
- Menaxhimi i mbeturinave: Qeveria kishte premtuar Strategjinë për menaxhimin e integruar të mbeturinave, për ndërtimin e qendrave të riciklimit dhe funksionalizimin e deponive. Por sot, qytetet e Kosovës vazhdojnë të mbeten në mëshirë të mbeturinave miks të pa menaxhuara dhe pa një infrastrukturë të qëndrueshme.
- Menaxhimi i ujërave dhe infrastruktura: Edhe pse u premtua rishikimi i ligjit për ujëra dhe ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, rezultatet janë pothuajse inekzistente. Burimet ujore të vendit vazhdojnë të jenë në rrezik nga ndotja industriale dhe mungesa e mekanizmave mbrojtës.
- Mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit: Ligjet për ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e natyrës ende nuk janë miratuar, ndërsa strategjia për mbrojtjen e mjedisit mbetet vetëm një dokument në letër. Pyjet dhe parqet kombëtare vazhdojnë të jenë në mëshirë të shfrytëzimit ilegal dhe mungesës së kontrollit.
Me nisjen e fushatës zgjedhore, partitë politike janë përqendruar kryesisht në temat ekonomike dhe sociale, duke lënë pas dore çështjet mjedisore. Partia në pushtet, që kishte miratuar planë për këtë, as që po guxon të zërë më në gojë çështjet ambientale. Pra, përkundër premtimeve madhore të qeverisë aktuale, realiteti në terren tregon një dështim për të adresuar sfidat më të mëdha mjedisore të vendit.
Në këto zgjedhje, qytetarët duhet të kërkojnë përgjegjësi për premtimet e papërmbushura dhe të insistojnë që mjedisi të marrë vendin që i takon në agjendën politike të vendit. Lufta kundër ndotjes nuk është vetëm një nevojë për të ardhmen, por një urgjencë e së tashmes.