Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica në seancën e Kuvendit të Kosovës gjatë së martës ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci që të merret me rastin e vajzës nga Peja, e cila është përjashtuar nga shkolla për shkak të shamisë. Këtu i ka tërhequr vërejtjen kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili mes tjerash, ka lënë të kuptohet se kjo deklaratë u bë për shkak të fushatës.
Në fjalën e tij, Korenica fillimisht tha se ministrja nuk është marrë me këtë rast, dhe se nuk ka kuptim që të vazhdohet me votimin.
“Po du me e ngre një shqetësim aktual, të njëjtin shqetësim e kam ngritë edhe vitin e kaluar, më vjen keq që sot ministrja e Arsimit nuk është në Kuvend. Por megjithatë duhet ta dini që ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë, është e moshës madhore i ka 18 vjet, çdo të dytën tretën ditë, paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikçi. S’e kuptoj sa e drejtë është të qëndrojmë këtu si deputetë, ju si kryekuvendar në krye të Kuvendit, por edhe vetë ministrja e Arsimit, e të mos mirret me rastin dhe me i jepë të drejtën vajzës me shku në shlkollë. E kemi këtë përgjegjësi, nuk ka kuptim me vazhdum e procesin e votimit, edhe mos me u marrë, edhe mos me e trajtu këtë rast, dhe me i jepë të drejtën për shkollim. I qoj mesazh të drejtpërdrejtë ministres të merret me rastin, dhe të mos lejojë të njëjtat problem çdo vit me u paraqit për një faj që ne e kemi trashëgu nga dikush tjetër me një udhëzim administrative diskrimunes.” – tha ai, transmeton Nacionale.
Më pas, ka ndërhyrë kryeparlamentari Konjufca, i cili ka thënë se “fushata fillon në janar, dhe atëherë ka kohë të ngriten të gjithë problemet”.
“Unë si kryetar i Kuvendit, meqë po kërkon me qenë professional, duhet me ta tërhjek vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës. E para, dhe besoj që fushata fillon kah 6-7 janari, dhe e keni të gjithë kohën e mjaftueshme me i ngrit të gjitha problemet.” – u shpreh kryetari i Kuvendit.