Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, të Kosovës e Shqipërisë.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë, ka bërë që edhe Kosova të preket nga lufta hibride.

Ai përmendi sulmin në Ibër-Lepenc e sulmin në Banjskë.

“Jemi mbledhur në këtë seancë të Kuvendeve tona, në fund të këtij viti, për ta dëshmuar unitetin tonë, përballë sfidave politike e gjeopolitike të sigurisë që shoqërojnë rajonin e kontinentin tonë edhe gjatë këtij viti. Edhe 2 muaj bëhen tri vjet që nga agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën, dhe ne si rajon e si Kosovë, i kemi ndjerë ndikimet e tërthorta e të drejtpërdrejta të këtij agresioni. Republika e Kosovës po e mbyllë edhe këtë vit e sulmuar drejtpërdrejt nga elemente që lidhen me Serbinë, e po synojnë destabilizimin e Kosovës me metoda e terroriste e luftës hibride. Sulmi në Ibër-Lepenc nuk mund të konsiderohet ndryshe veç si terroristë nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si shtet sovran. Ky sulm i rëndë vjen një vit pas sulmit tjetër të ërndë që përjetoi republika jonë në Banjskë. Organizatorët dhe mbështetësit janë Milan Radoçiq dhe i mbështetur nga presidenti Vuçiq, dhe mbetet i pandëshkuar nga drejtësia në Kosovës”, tha Konjufca.

Ai deklaroi se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë bashkë, pa asnjë kusht e në çdo rrethanë.

“Ky përbashkim i yni sot në këtë seancë të dy kuvendeve tona, përbën më shumë se simbolikën e bashkëpunimit mes institucioneve. Kjo seancë duhet me u pa si dëshmi që Kosova e Shqipëria janë me njëra-tjetrën, në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar që e kemi të përbashkët”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Konjufca ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën dhënë Kosovës në të gjitha forumet ndërkombëtare.

E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, forcimit të ligjit e shtetit demokratik nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë e as përshkallëzim me fqinjtë tanë. Është Serbia ajo që nuk e pranon as statusin e fqinjit, por ambiciet e saj hegjemoniste kundër Kosovës i ka në Kushtetutë”, tha ai.

“Nuk mund të ketë normalizim mes dy vendeve tona pa pasur njohje reciproke si dy vende sovrane. Kjo është zgjidhja”, deklaroi Konjufca.