Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se kanë pranuar kërkesë nga Prokuroria Speciale, lidhur me refuzimin e Kurtit për intervistim.

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që Kurti të urdhërohet për të shkuar për të dëshmuar.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, tha Gashi.

Nëse Gjykata e pranon kërkesën, Albin Kurti si dëshmitar, duhet të paraqitet për të dëshmua në Prokurorinë Speciale.

Nëse jo, sipas ligjit, Kurtit mund t’i shqiptohet gjobë dhe të burgoset.

Me t’u lëshuar ky urdhër, Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk vepron ashtu siç kërkohet, urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta ekzekutojë urdhrin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit të vendit Albin Kurti.

Kjo për intervistim në cilësinë e dëshmitarit pasi ai nuk iu përgjigj ftesës së parë të dërguar dit më parë.

Ftesën e prokurorisë për kryeministrin e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për të cilën ai ka thënë se si kabinet qeverisës i janë përgjigj.

“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër”, ka thënë Kryeziu.

Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.

“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, të shohim tash a guxojnë ata të vijnë” – tha Kurti.